Gjykata e Lartë i ka kërkuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të shpallë moskompetencën për padinë e Naureda Llagamit mbi votimin që çoi në zgjedhjen e gjyqtarit Asim Vokshi si anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës së Lartë, marrja në shyqrtim e padisë do ishte potencialisht e rrezikshëm për rendin kushtetues. Sipas Llagamit, vota e shpallur e pavlefshme, ishte në favorin e saj, ç’ka do bënte që të zgjidhej ajo si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë pritet të shqyrtojë të hënën kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga ish-drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Naureda Llagami, kundër procedurës së votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Llagami mori 8 vota nga 9 që do t’i jepnin asaj postin, pasi një votë u shpall e pavlefshme, shkruan Shqiptarja.
I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi, u shpall automatikisht, kandidati i përzgjedhur për në Gjykatë Kushtetuese.
Llagami ka kërkuar nga Gjykata Administrative pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme si dhe të procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Gjykata e Lartë thekson se “një veprim i tillë do përbënte shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve, tejkalim të juridiksionit gjyqësor dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit të së drejtës”.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë kërkon që Gjykata Administrative të deklarojë moskompetencën.
Gjykata e Lartë vëren se “vendimi i Gjykatës së Lartë është akt kushtetues dhe jo administrativ dhe nuk kundërshtohet në Gjykatën Administrative dhe ndërhyrja e juridiksionit të zakonshëm në vendimet e Gjykatës së Lartë do cenonte jo vetëm parimin e ndarjes së pushteteve, por edhe integritetin institucional të Gjykatës së Lartë si organ kushtetues”.
Gjykata e Lartë kujton po ashtu se ajo “ushtron një funksion të nivelit më të lartë kushtetues, i cili nuk mund të vihet në diskutim nga një organ gjyqësor i zakonshëm, siç është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë”, dhe nëse kjo e fundit “do të pranonte të shqyrtonte këtë padi, ajo do të krijonte një precedent të paprecedentë në Evropë”.
