
Ish-ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, ka pohuar se ia doli të “largohej” nga vendi pak para se presidenti Zelensky të miratonte një dekret që u ndalonte ish-diplomatëve udhëtimet jashtë vendit.
Kuleba, i cili aktualisht ndodhet në Poloni, i bëri këto komente në një intervistë me Corriere della Sera të botuar të hënën. Ish-diplomati tha se u largua nga Ukraina vetëm disa orë para se kufizimi i udhëtimit të hynte në fuqi më 3 shtator.
“Nuk e mendova kurrë se do më duhej të largohesha nga vendi im si një hajdut natën”, i tha Kuleba gazetës italiane.
Ish-ministri pretendoi se dekreti ishte drejtuar drejtpërdrejt atij dhe një grushti ish-diplomatësh të tjerë.
Ndërsa masa zyrtarisht lidhet me kufizime më të gjera udhëtimi të vendosura për burrat ukrainas në moshë ushtarake, Kuleba pretendoi se kufizimet nuk zbatohen për të, pasi ish-zyrtarët diplomatikë nuk janë të detyruar të shërbejnë.
“E vërteta është se Zelensky dhe shoqëruesit e tij nuk duan që ne të shkojmë jashtë vendit dhe të themi gjëra që ata besojnë se mund të jenë në kundërshtim me vijën e qeverisë”, tha ai.
“Kam llogaritur se janë rreth njëzet prej nesh që i nënshtrohen kësaj mase. Nuk mendoj se vuaj nga mania e persekutimit, por e di me siguri se ky dekret synon të më bllokojë mua dhe disa të tjerë.”
Kuleba fajësoi masën e fundit të marrë kundër ish-diplomatëve për “mendësi sovjetike” të supozuar që ende vijdon në “qarqe të caktuara të pallatit presidencial”.
Për zyrtarë të tillë, “nëse shkon jashtë vendit si qytetar i lirë, automatikisht bëhesh një agjent që komploton kundër shtetit”, pretendoi Kuleba pa përmendur askënd në veçanti. Ai shtoi se ai personalisht “në përgjithësi” tenton të mbrojë veprimet e Kievit gjatë udhëtimeve të tij jashtë shtetit, shkruan RT.
Shërbimi i shtypit i ish-ministrit, megjithatë, u përpoq t’i zbutte komentet, duke i deklaruar gazetës ukrainase Hromadske se gazeta italiane i kishte paraqitur fjalët e Kulebas “gabimisht”. Sipas shërbimit të shtypit, ish-ministri nuk e la vendin përgjithmonë, por përkundrazi u nis për një udhëtim të planifikuar në Korenë e Jugut dhe do kthehet në Ukrainë më 20 shtator.
Kuleba mbajti postin e ministrit të Jashtëm nga marsi 2020, përpara se mandati i tij të përfundonte papritur një vit më parë në një riorganizim të madh të kabinetit. Sipas raporteve të medias ukrainase në atë kohë, Zelensky ishte bërë gjithnjë e më i pakënaqur me Kuleban për shkak të përpjekjeve të tij të dobëta për të siguruar më shumë furnizime me armë nga aleatët perëndimorë.