Vendosni fjalën kyçe....

21 të vrarë nga sulmi rus mbi ukrainasit që po merrnin pensionet


Të paktën 21 persona janë vrarë nga një sulm ajror rus në një fshat në lindje të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se viktimat ishin qytetarë të zakonshëm që po merrnin pensionet e tyre në vendbanimin Yarova të Donetskut.

Udhëheqësi rajonal i Donetskut, Vadym Filashkin, tha se shërbimet e emergjencës ndodheshin në vendngjarje dhe se numri i të plagosurve ishte po aq i madh sa ai i të vrarëve, përcjell BBC.

Yarova ndodhet në veri të Slovianskut, një nga qytetet më të mëdha të rajonit, jo larg vijës së frontit ku forcat ruse po avancojnë ngadalë në lindje.

Nëse konfirmohet, numri i viktimave do të ishte një nga sulmet më të rënda kundër civilëve ukrainas javët e fundit, 42 muaj pas nisjes së pushtimit të plotë rus.

Filashkin shpërndau në rrjete sociale një imazh nga pasojat e sulmit, pjesë të të cilit ishin shumë tronditëse për t’u publikuar.

Në fund të muajit gusht, të paktën 23 persona u vranë nga sulmet ajrore të natës mbi kryeqytetin Kiev.

Ndërsa gjatë fundjavës, Rusia nisi sulmin më të madh ajror të luftës deri më tani mbi Kievin, duke goditur ndërtesën kryesore qeveritare në kryeqytet, një veprim që Zelensky e cilësoi si një sulm “të pamëshirshëm” me qëllim zgjatjen e luftës.

Duke shpërndarë pamje të rënda nga sulmi në Yarova, Zelensky tha se nuk kishte “asnjë fjalë” për të përshkruar goditjet më të fundit ruse.

Nga ana e saj, ushtria ruse nuk dha asnjë reagim të menjëhershëm.

Sipas Filashkinit, sulmi ndodhi në orën 12:30 me orën lokale të së martës, pikërisht në momentin kur po shpërndaheshin pensionet.

Ai publikoi një fotografi që tregonte një automjet të shkatërruar të shërbimit postar ukrainas, të tipit që përdoret zakonisht për shpërndarjen e pensioneve.

Yarova ndodhet mbi një linjë hekurudhore të rëndësishme në Donetsk, mes Lyman dhe Izium. Ajo është gjithashtu vetëm rreth 6 kilometra larg fshatit fqinj Novoselivka, ku forcat ruse po afrohen në periferi.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës njoftoi gjithashtu se tre persona të tjerë ishin vrarë nga bombardime të mëparshme ruse në vendbanime të tjera të Donetskut.

“Bota nuk duhet të qëndrojë e heshtur,” tha Zelensky, duke kërkuar një përgjigje nga SHBA, Evropa dhe grupi i vendeve të G20.