Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar se Presidenti Donald Trump do të marrë një vendim përfundimtar brenda dy javëve nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin një ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit, në kuadër të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, përcjell Reuters.
Në një konferencë për shtyp, Leavitt theksoi se Trump dëshiron të japë një mundësi për përpjekjet diplomatike përpara se të ndërmarrë hapa ushtarakë.
“Bazuar në faktin se ka një mundësi të konsiderueshme për negociata që mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim nëse do të veprojmë apo jo brenda dy javëve të ardhshme,” thuhet në deklaratën e presidentit Trump.
E pyetur për shqetësimet e mbështetësve të Trump mbi mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në një konflikt të ri, Leavitt u përgjigj shkurt:
“Të kenë besim tek presidenti Trump.”
Ajo vlerësoi instinktet e presidentit, duke theksuar se gjatë mandatit të tij të parë, ai “e mbajti botën të sigurt përmes forcës dhe vendosmërisë.”
Sipas saj, kontaktet diplomatike me Teheranin kanë vijuar, por nuk u dhanë detaje mbi arsyet pse presidenti beson se ekziston ende një shans real për negociata.
Në lidhje me mundësinë e një ndryshimi regjimi në Iran, Leavitt theksoi se prioriteti kryesor i administratës është ndalimi i Iranit nga ndërtimi i një arme bërthamore.
“Presidenti është i përqendruar te siguria kombëtare dhe parandalimi i kërcënimit më të madh të mundshëm, një Iran me armë bërthamore,” u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.