Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka reaguar publikisht pas momentit të vështirë që përjetoi në ndeshjen kundër Serbisë, ku humbi një penallti vendimtare që mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes.
Përmes një mesazhi emocional të publikuar në rrjetet sociale, Manaj ka kërkuar ndjesë ndaj të gjithë shqiptarëve, bashkëlojtarëve dhe stafit teknik, duke u shprehur thellësisht i prekur nga momenti:
“Sot ndjej një dhimbje të madhe që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. E di sa shumë prisnin shqiptarët nga kjo ndeshje dhe sa rëndësi kishte ajo për të gjithë ne. Më vjen thellësisht keq për penalltinë që humba.”
Manaj theksoi se si sulmues është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mban përpara portës dhe premtoi se do ta përdorë këtë moment si motivim për t’u përmirësuar:
“Ju siguroj që kjo ndjesi nuk më lë rehat dhe do ta përdor si forcë për të ardhur më i fortë, më i përqendruar dhe më i vendosur.”
Mesazhi i tij është pritur me përkrahje nga shumë tifozë shqiptarë në rrjetet sociale, të cilët e kanë inkurajuar dhe i kanë dhënë mbështetje në këtë moment të vështirë.