Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vendos raund të ri sanksionesh ndaj Iranit


Shtetet e Bashkuara vendosën të premten një raund të ri sanksionesh ndaj Iranit, duke goditur 10 individë dhe 27 subjekte të lidhura me një rrjet të ashtuquajtur “të bankimit në hije”, që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit është përfshirë në pastrim parash për llogari të regjimit iranian.

Sipas njoftimit zyrtar për Jerusalem Post, ky rrjet ka larë miliarda dollarë përmes shtëpive të këmbimit në Iran dhe kompanive fasadë të regjistruara jashtë vendit, veçanërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hong Kong.

Ndër të goditurit janë vëllezërit Zarringhalam dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët, përmes kompanive fasadë, kanë ndihmuar në gjenerimin e të ardhurave nga shitja e naftës dhe mallrave të tjerë që mund të shfrytëzohen për ndërtimin e armëve bërthamore.

Në të njëjtën kohë, rrjeti i mbrojtjes nga krimet financiare i Departamentit të Thesarit përditësoi udhëzimet mbi financimet e paligjshme, përfshirë shenjat paralajmëruese për kontrabandën iraniane të naftës, bankimin në hije dhe blerjen e komponentëve me përdorim të dyfishtë.

Sanksionet vijnë në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të arrijë një marrëveshje të re bërthamore me Iranin. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, njoftoi se Teherani do të përgjigjet ndaj propozimit amerikan në ditët në vijim.

Në një tjetër zhvillim, Wall Street Journal raportoi se Irani ka porositur mijëra tonë përbërës për raketa balistike nga Kina, për të rindërtuar kapacitetet e tij ushtarake dhe bërthamore. Materialet përfshijnë perklorat amoniumi — një përbërës kyç për lëndën djegëse të raketave — që mund të furnizojë qindra raketa dhe pritet të dërgohen brenda disa muajsh, përfshirë edhe aleatët rajonalë të Iranit si Houthit në Jemen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës mohoi njohurinë për këtë marrëveshje, duke deklaruar se Kina zbaton me rigorozitet ligjet dhe detyrimet ndërkombëtare për eksportet me përdorim të dyfishtë.

Këto zhvillime ndodhin ndërsa udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi se Irani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, duke refuzuar një prej kërkesave kyçe të SHBA në negociatat për një marrëveshje të re.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar më herët edhe individë dhe kompani nga Irani dhe Kina për përfshirje në sigurimin e përbërësve për raketa balistike, si dhe ka shtuar perkloratin e natriumit në listën e materialeve të ndaluara për shkak të përdorimit potencial ushtarak.

Bisedimet për marrëveshjen bërthamore vazhdojnë, por mbeten disa çështje të vështira për t’u kapërcyer, përfshirë refuzimin e Iranit për të ndalur pasurimin e uraniumit në territorin e tij apo për të dërguar jashtë rezervat ekzistuese të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.