Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral me të rinjtë në zonën e Kombinatit në Tiranë, u bëri thirrje pjesëmarrësve që të informohen rreth së kaluarës politike të Partisë Demokratike përmes kërkimeve në internet.
“Mbani mend disa vite dhe kërkoni në YouTube: 1996, 1997, Gërdec 2008, janar 2011. Janë vite që lidhen me ngjarje të rënda në vend dhe do t’ju ndihmojnë të kuptoni kush ju kërkon votën sot,” u shpreh Rama.
Ai tha se të rinjtë duhet të jenë të informuar për historinë politike të vendit përpara se të marrin vendime elektorale, duke theksuar: “Pas kësaj, kur t’ju kërkojnë votën për ‘Shqipërinë Madhështore’, do kuptoni se me kë keni të bëni.”
“Nëse nuk e dini kush është bufi i kënetës, kërkoni e do e shihni se aty ka bretkosa, zhapikë e lloj-lloj speciesh.”
Kryeministri pati edhe një koment ironik ndaj votuesve burra që mbështesin opozitën, duke i quajtur “çyrykë”.
“Nuk e kuptoj si një burrë normal mund të futet në kënetë me kokë. Më mbështesin 56% e grave dhe vajzave – na duhen vetëm gjysma normale e burrave,” deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ekipi i Partisë Socialiste përfaqëson njerëz me eksperiencë dhe përgjegjësi, duke e krahasuar me, sipas tij, mungesën e përgatitjes së skuadrës së opozitës.
“Po të shohësh skuadrën tonë, janë njerëz që dinë çfarë bëjnë. Po të shohësh skuadrën e tyre, s’ka lidhje me Tiranën,” tha ai.