Vendosni fjalën kyçe....

Loja e dyfishtë e SPAK-ut me sekretin hetimor


Avokati Ylli Manjani ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si të dhënat hetimore të SPAK po përfundojnë në duart e politikanëve dhe mediave. Ai thekson se përgjegjësia për ruajtjen e këtyre të dhënave i takon ekskluzivisht prokurorisë dhe jo mediave apo opozitës.

Manjani kritikon faktin që materiale si përgjimet e “Sky ECC”, dëshmitë e të penduarve, apo rezultatet e kontrolleve në banesa dhe celularë po bëhen publike dhe po përdoren për “gjyqe popullore” në studio televizive. Ai e konsideron këtë si një praktikë që minon drejtësinë, pasi sipas tij, “nuk ka asnjë shans që gjykimi në sallë të jetë i drejtë kur më parë të ka gjykuar turma.”

Duke iu referuar hakerimit të dyshuar të email-eve të SPAK, Manjani thotë se kjo nuk justifikon një veprimtari gjashtëvjeçare ku informacionet hetimore janë shpërndarë lirshëm në publik.

Postimi:

“Përgjegjësia për ruajtjen e të dhënave hetimore i takon prokurorisë.
*****
Edhe njëherë, nuk na duhet shumë nëse kishte hakerim apo jo të emaileve të SPAK. As kush e bëri hakerimin dhe për ç’qëllim. Ky është film për tu parë nga ata që pëlqejnë telenovelat.

Pyetja ime është përse gjenden në publik dhe në celularët apo sqetllat e politikanëve materiale hetimore, të cilat përdoren në media për të gjykuar njerëz pa gjyq?

Përse media dhe deputetë të opozitës disponojnë dhe publikojnë përgjimet e Sky ecc, përgjimet e bëra nga prokuroria me vendim gjykate për çështje e persona të ndryshëm, rezultatet e kontrolleve të banesave apo të celularëve të njerëzve në hetim, dëshmitë jo gjyqsore të personave të penduar e çdo material tjetër hetimor?!

Publiku ka marrë vesh në kohë reale, madje në disa raste shumë më shpejt se edhe avokatët e çështjeve, të dhëna hetimore për persona të ndryshëm. Përse ndodh kjo?!

Publiku ka bërë gjyqe popullore e me natyrë politike mbi të gjitha çështjet e spak, pikërisht se janë përhapur të dhënat që duheshin ruajtur. A i shihni gjyqet popullore nëpër studio televizionesh mbi bazë të këtyre të dhënave hetimore?!

Nuk ka asnjë shans që gjykimi në sallën e gjyqit të jetë i drejtë dhe i pandikuar, kur më parë të ka gjykuar turma!

Hakerimi i emaileve (nëse ka hakerim) për të nxjerrë emrat deputetësh nën hetim, nuk e mbulon dot një veprimtari 6 vjeçare gjyqesh popullore me të dhëna hetimore të SPAK.

Është absurde, kur nga njëra anë hetohet për nxjerrje të dhënash e fiks në atë ditë botohen të dhënat e përgjimeve të bëra ndaj Erion Velisë fjala vjen.

Për disa të dhëna ndalohet publikimi disa të tjerave jo.

Ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësinë ligjore për mos ruajtjen e të dhënave, kjo përgjegjësi kërkohet tek media!!!!

Të puthsha mendjen, o shtet!”