
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur në përgjim anëtarët të Gjykatës Kushtetuese.
Në dokumentin e publikuar rezulton se prokurori i SPAK-ut Klodian Braho ka autorizuar vendosjen nën përgjim ambiental publik të gjyqtarit Gent Ibrahimin.
SPAK ka përgjuar, vëzhguar, fotografuar dhe filmuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për një periudhë prej 15 ditësh.
Përgjimi është zhvilluar nga 10 deri më 25 shkurt 2025, pa miratim nga gjykata por vetëm me autorizimin e prokurorit Braho.
Lidhur me raportin në media kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj njoftoi javën e kaluar se i ka kërkuar informacion SPAK-ut për anëtarët që ka nën përgjim.
“Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion.
Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik”-deklaronte Zaçaj më 24 shkurt.


