
Mundësia që Ismael el Mayo Zambada të arrijë një marrëveshje me autoritetet amerikane është gjithnjë e më e dukshme, megjithëse kjo nuk do të thotë se ai do të ishte bashkëpunëtor ose se do t’i bashkohej programit të dëshmitarëve të mbrojtur të drejtësisë, por thjesht do pengonte që çështja e tij të shkonte në gjyq, ku ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm, tha avokati Frank Pérez.
“Ne po shohim për të parë nëse mund të arrijmë një marrëveshje, por negociatat nuk kanë ecur përpara”, konfirmoi avokati gjatë një takimi me mediat, pas përfundimit të seancës paraprake në Brooklyn të Nju Jorkut.
Kjo do ishte hera e parë që avokati i Zambada García-s pranon se ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje nga e cila do përfitonte bosi i drogës, megjithëse ai nuk specifikoi se çfarë do kërkonte mbrojtja, as nuk iu referua asaj që prokuroria do të kërkonte.
Mike Vigil, një ish-agjent i DEA-s, konsideroi se nëse El Mayo do bashkëpunonte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, ai do jepte shumë informacione për mënyrën se si karteli Sinaloa ka funksionuar ndër vite, si dhe hollësi rreth politikanëve të korruptuar, guvernatorëve, komunave, presidentëve dhe gjeneralë të forcave të armatosura me të cilët ka pasur marrëveshje, përveç kompanive që pastrojnë para për anëtarët e atij grupi kriminal.
“El Mayo qëndronte pas shumë marrëveshjeve, përveçse ishte, ndoshta, trafikanti i drogës që kishte më shumë kontakte me kriminelët nga organizata të tjera kriminale, duke përfshirë Kartelin Jalisco Nueva Generación, pasi nuk duhet të harrojmë se ishte ai që negocioi shpëtimi i djemve të El Chapo-s në vitin 2016, në një restorant në Puerto Vallarta”, vuri në dukje Vigil.
Negocimi me Shtetet e Bashkuara do ishte e vetmja rrugëdalje për Ismael Zambada García-n, pasi në moshën 77-vjeçare dhe me sëmundjet që vijnë me moshën, do kishte të vështirë të arrinte lirinë i gjallë, edhe nëse do negocionte me prokurorinë amerikane, por të paktën ai do arrinte një marrëveshje nga e cila do përfitonte pjesa tjetër e familjes së tij.

Sipas gazetarëve që mbuluan seancën, Mayo dukej më i dëshpëruar se herën e mëparshme, kur u paraqit para gjyqtarit James R. Cho, sepse tani ai kishte një pamje më të trishtuar dhe më të largët.
Megjithatë kishte konfirmuar Frank Pérez si avokatin e tij, edhe pse kjo mund të nënkuptojë një konflikt interesi sepse është i njëjti avokat mbrojtës që negocioi marrëveshjen e djalit të tij, Vicente Zambada Niebla, me prokurorët.
“A jeni në dijeni se ekziston mundësia që kjo çështje të shkojë në gjyq”, pyeti gjykatësi Cogan. Por Mayo Zambada qëndroi i vendosur pasi një letër u lexua në spanjisht gjatë seancës, e cila thoshte: “Unë nuk dua një avokat tjetër”.
Sipas Kodit Penal të SHBA-së, nëse çështja shkon në gjyq, Frank Perez do kufizohej kur të mbronte El Mayo-n, sepse nëse do fillonte një proces në të cilin ai do duhej të merrte në pyetje klientin e tij për t’u përballur me akuzat nga prokurorët, ai nuk do ishte në gjendje ta bëjë këtë më gjatë dhe as të përdorë informacionin e marrë gjatë gjyqit të Vicentillo-s, nga i cili në atë kohë përfituan trafikantët e tjerë të drogës.
“Siç qëndron procesi, nëse kërkohet, Vicentillo do duhej të dëshmonte kundër babait të tij dhe El Mayo nuk mund të bënte asgjë për të mbrojtur veten, prandaj gjykatësi Cogan e pyeti nëse donte të vazhdonte me mbrojtjen e tij, sepse përfundimisht kjo do i sillte kufizime”, tha një zyrtar i njohur me rastin.
Këto kufizime do zvogëlojnë mundësitë që anëtarët e jurisë ta shikojnë me sy të mirë El Mayo-n dhe përveç kësaj do rrisin mundësinë e një dënimi më të rëndë. Prandaj, shmangia e daljes në gjyq do ishte strategjia më logjike për mbrojtjen.

Vicente Zambada Niebla
Shtegu i vjetër
Rruga e dukshme që do merrte mbrojtja e Mayo Zambada, për të negociuar me prokurorinë, do ishte e njëjta rrugë që trafikantët e drogës si djali i vetë kapos, Vicente Zambada, si dhe vëllai i tij Jesús el Rey Zambada García, si dhe drejtues të organizatave të tjera si Benjamín Arellano Félix, Osiel Cárdenas Guillén dhe Vicente Carrillo Fuentes, morën në atë kohë.
Kohët e fundit, në vitin 2023, u ekstradua Ovidio Guzmán López, si dhe një nga koordinatorët e grupit kriminal të njohur si Los Chapitos, Néstor Isidro Pérez Salas el Nini.
Në rastin e veçantë të Ovidios, marrëveshja me autoritetet amerikane ishte e menjëhershme dhe besohet se ishin djemtë e El Chapo-s, vëllezërit Ovidio dhe Joaquín Guzmán López ata që orkestruan kapjen, arrestimin dhe dorëzimin e mëvonshëm të Ismael el Mayo Zambadas, në korrik 2024.
Megjithatë, dënimi minimal që do merrnin vëllezërit Guzmán López, dhe ndoshta vetë Mayo Zambada, është 10 deri në 15 vjet, për të gjithë dëmin që të njëjtat autoritete thanë në atë kohë se i shkaktuan shoqërisë amerikane dhe për akuzat e trafikut të fentanilit.
Vigil, i cili ishte në dijeni të disa negociatave që kanë ndodhur mes trafikantëve të drogës dhe prokurorëve, tha se kjo do varet nga ajo që El Mayo dëshiron të ofrojë, por edhe me gjithçka që ai ofron, është e mundur që ai të mos dalë nga burgu edhe duke negociuar për shkak të moshës së tij dhe sa i sëmurë është.
“E shoh Mayo-n si shumë të lodhur dhe edhe nëse bashkëpunon, do t’i japin të paktën 20 vjet dhe duke pasur parasysh se ai është 77 vjeç, e shoh shumë të vështirë për të që të dalë i gjallë,” tha ai.
Lidhur me negociatat që mund të kryejnë vëllezërit Guzmán López, Vigil përmendi se megjithëse e kanë në favorin e tyre të dorëzojnë Zambada García-n, do e kenë të vështirë të kalojnë më pak se 10 vjet në burg, por të paktën nuk do përballen me burgim të përjetshëm ose ndonjë dënim të rëndë.
“Ata kanë akuza për trafik fentanili, por Joaquín dhe Ovidio nuk ishin të vetmit që e trafikuan atë drogë, gjithashtu vëllezërit e tyre, të cilët janë ende të lirë, janë akuzuar dhe anëtarë të tjerë të kartelit Sinaloa, duke përfshirë Mayo Zambada,” vuri në dukje ai. .
Nëse Joaquín dhe Ovidio vijojnë të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, në një moment ata do duhet të japin informacion për zyrtarët e korruptuar në Sinaloa, për vëllezërit e tyre dhe nëse Mayo Zambada shkon në gjyq, të dëshmojnë kundër tij.

Objektivat e rinj të DEA-s
Me Ismael el Mayo Zambadan dhe Joaquín el Chapo Guzmán pas hekurave, objektivat e rinj të DEA-s do ishin fëmijët e zotërve të drogës: Iván Archivaldo dhe Jesús Alfredo Guzmán Salazar, së bashku me Ismael Zambada Sicairos el Mayito Flaco. Për dy të parat, DEA ofron shpërblime prej 10 milionë dollarësh.
Sipas faqes së internetit të DEA-s, profilet e tre trafikantëve të drogës, të cilët mesa duket drejtojnë një luftë në bashki të ndryshme të shtetit të Sinaloa, janë pjesë e trafikantëve të drogës më të kërkuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Përfshirja e el Mayito Flaco në këtë listë daton në vitin 2015 dhe që prej asaj kohe ai është kërkuar nga autoritetet. Djemtë e El Chapo Guzman janë kërkuar që nga viti 2008, megjithëse vetëm vitin e kaluar autoritetet e Shteteve të Bashkuara e rritën shpërblimin nga 5 në 10 milionë për secilin prej tyre.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani