Vendosni fjalën kyçe....

Zuckerberg përpiqet të rregullojë punët me Trump-in, dhuron 1 milion dollarë për fondin e përurimit


Meta Platforms ka dhuruar 1 milion dollarë për fondin e përurimit të presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, hapi më i fundit i shefit Mark Zuckerberg për të forcuar marrëdhënien e tij me presidentin e ardhshëm.

Dhurimi, i konfirmuar nga kompania, është një largim nga praktika e kaluar e ndjekur nga Zuckerberg dhe kompania e tij, dhe vjen pas një fushate zgjedhore në të cilën Trump kërcënoi se do ndëshkonte manjatin e teknologjisë nëse ai përpiqej të ndikonte në zgjedhjet kundër tij.

Kontributi dhe përpjekjet për të tërhequr administratën e ardhshme janë emblematike të aktit ekuilibrues për shefat e teknologjisë, kompanitë e të cilëve shpesh kanë qenë objektiv i zemërimit nga Trump dhe republikanët e tjerë dhe fuqia punëtore e të cilëve priret të anojë fort nga e majta.

Tani, me republikanët që kanë marrë Shtëpisë së Bardhë dhe dy dhomat e parlamentit dhe janë duke bërë thirrje për një rregullim të ri të teknologjisë, disa drejtues po miratojnë një qëndrim të ri ndaj Trump.

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, një armik prej kohësh i presidentit të zgjedhur, e uroi Trump-in në X pas zgjedhjeve për “rikthimin e jashtëzakonshëm politik dhe fitoren vendimtare” dhe tha këtë muaj se ai është “në të vërtetë shumë optimist kësaj radhe”. Duke folur në një konferencë të New York Times, ai tha: “Ajo që kam parë deri më tani është se ai është më i qetë se sa ishte herën e parë dhe më i sigurt, më i vendosur”.

Përpjekjet e Zuckerberg për të forcuar lidhjet – të cilat filluan vite më parë – përfshijnë një darkë në nëntor me Trump në oborrin e klubit të tij privat Mar-a-Lago në Palm Beach, që u përqendrua në ndërtimin e marrëdhënieve të përgjithshme.

Darka mbuloi një mori takimesh dyditore për këshilltarët e Zuckerberg në Mar-a-Lago. Drejtuesit e lartë të politikave të Meta-s, Joel Kaplan dhe Kevin Martin dhe strategu republikan, Brian Baker, u takuan me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.

Zuckerberg dhe këshilltarët e tij u takuan me Senatorin Marco Rubio, të përgjedhurin e Trump për Sekretar Shteti, si dhe me tre këshilltarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë: Stephen Miller, Vince Haley dhe James Blair.

Para darkës, Zuckerberg bëri një demonstrim privat për Trump të syzeve inteligjente Ray-Ban të Meta-s, të cilat ai ia dhuroi presidentit të zgjedhur, thanë njerëzit e njohur me diskutimet.

Ekipi i Zuckerberg i tha fondit përurues para darkës se Meta kishte planifikuar të dhuronte, tha një nga personat.

Raportet federale të financimit të fushatës tregojnë se Zuckerberg ka mbështetur kandidatët për Kongres nga të dyja partitë gjatë viteve dhe ka qëndruar kryesisht jashtë garave presidenciale.

As Zuckerberg dhe as Meta nuk kanë dhuruar për fondin e përurimit të Trump në janar 2017 ose për fondin e presidentit Biden në 2021, sipas të dhënave publike. Të dyja këto fonde tërhoqën 1 milion dollarë donacione nga më pak se një duzinë korporatash të mëdha, duke përfshirë shumë nga të njëjtat kompani.

Marrëdhënia Zuckerberg-Trump është lëkundur gjatë viteve. Në janar 2017, FWD.us, një grup lobimi i themeluar nga Zuckerberg dhe udhëheqës të tjerë të teknologjisë që mbështesin reformën e emigracionit, kontribuoi me 5,000 dollarë për tranzicionin e Trump, sipas të dhënave publike.

Javë më vonë, Zuckerberg kritikoi urdhrat ekzekutivë të Trump rreth emigracionit, duke shkruar në një postim në Facebook: “Ashtu si shumë prej jush, unë jam i shqetësuar për ndikimin e urdhrave të fundit ekzekutivë të nënshkruar nga Presidenti Trump”.

Trump dhe Zuckerberg mbetën në kontakt gjatë rrjedhës së presidencës së tij. Në vitin 2019, ata u takuan në Zyrën Ovale. Në vitin 2020, Trump tha se kohët e fundit kishte ngrënë darkë me Zuckerberg.

Pasi mbështetësit e Trump pushtuan Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021, Facebook e pezulloi Trump-in nga postimi, ashtu si edhe disa platforma të tjera të mediave sociale. Pas kësaj, Trump lëshoi ​​një deklaratë duke thënë: “Herën tjetër që do jem në Shtëpinë e Bardhë nuk do ketë më darka argësuese, me kërkesë të tij, me Mark Zuckerberg dhe gruan e tij. Gjithçka do jetë punë.”

Në vjeshtën e vitit 2021, Zuckerberg dhe gruaja e tij, Priscilla Chan, punësuan Baker, një strateg i cili ka punuar prej kohësh për familjen e ish-kreut të financave të Komitetit Kombëtar Republikan, Todd Ricketts, për t’i ndihmuar ata të rregullojnë marrëdhëniet  me republikanët, sipas njerëzve të njohur me çështje. Detyra e Baker është t’u shpjegojë ndihmësve të Trump dhe zyrtarëve republikanë kontekstin e 400 milionë dollarëve që Zuckerberg dhe Chan dhanë në vitin 2020 për të ndihmuar qeveritë shtetërore dhe lokale të paguajnë për infrastrukturën zgjedhore gjatë pandemisë.

Republikanët akuzuan Zuckerberg-un për dhënien e donacioneve – të cilat ata i quajtën “Zuckerbucks” – për të forcuar pjesëmarrjen e demokratëve në shtetet e diskutueshme, gjë që Zuckerberg dhe zyrtarët zgjedhorë në të dyja partitë e mohojnë. Në vitin 2022, Baker tha se çifti nuk do bënte donacione të tilla në të ardhmen, sepse ishte një veprim i lidhur dikur me pandeminë.

Në një postim korrikun e kaluar në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump shkroi: “Gjithçka që mund të them është se nëse zgjidhem President, ne do ndjekim mashtruesit e zgjedhjeve në nivele të papara më parë dhe ata do dërgohen në burg për periudha të gjata kohore. Ne tashmë e dimë se kush jeni. MOS E BËNI! ZUCKERBUCKS, ki kujdes!”

Në një libër të botuar këtë vjeshtë – i cili kishte dalë në shtyp në fillim të vitit – Trump përfshiu një foto të një takimi në Zyrën Ovale me Zuckerberg dhe paralajmëroi shefin e Meta-s se “do e kalojë pjesën tjetër të jetës në burg” nëse përpiqet të manipulojë kundër tij zgjedhjet e vitit 2024, duke iu referuar donacioneve për infrastrukturën zgjedhore të vitit 2020.

Publikisht, marrëdhënia e tyre dukej se po përmirësohej. Në korrik, Zuckerberg vlerësoi reagimin e Trump ndaj një atentati – gjatë të cilit ai ngriti grushtin dhe thirri “luftoni, luftoni luftoni” – si “një nga gjërat më të këqija që kam parë ndonjëherë në jetën time”. Dy burrat folën disa ditë pas të shtënave dhe në tetor, Trump tha në një podcast të Barstool Sports se pëlqen Zuckerberg-un “shumë më mirë tani”, duke shtuar: “Unë në fakt besoj se ai po qëndron jashtë zgjedhjeve, gjë që është mirë”.

Në muajt e fundit, Zuckerberg ka treguar më shumë gatishmëri për të kritikuar demokratët dhe për të lavdëruar republikanët. Në gusht, ai tha në një letër drejtuar kryetarit republikan të Komitetit Gjyqësor të Kongresit se ishte e papërshtatshme që administrata Biden të kishte bërë presion mbi Facebook-un për të censuruar përmbajtjen e lidhur me Covid në 2021, duke u zotuar të kundërshtojë çdo përpjekje të tillë në të ardhmen.

Ai tha gjithashtu se nuk do përsëriste donacionet e tij për infrastrukturën zgjedhore të vitit 2020 sepse: “Qëllimi im është të jem asnjanës dhe të mos luaj rol në një mënyrë ose në një tjetër apo madje të dukem se po luaj një rol”.

Në mënyrë private, Zuckerberg u ka thënë udhëheqësve të tjerë të biznesit se ai është optimist për një presidencë të Trump, sipas disa njerëzve.

Pas fitores së zgjedhjeve të Trump në nëntor, Zuckerberg e uroi Trump-in në një postim në mediat sociale dhe tha se mezi po priste të punonte me presidentin e zgjedhur.

Zuckerberg ka pasur gjithashtu debate me Elon Musk, i cili renditet si një nga këshilltarët më të afërt të Trump dhe ishte një mbështetës kryesor financiar gjatë zgjedhjeve presidenciale. Mosmarrëveshja e tyre kulmoi me një përpjekje për një ndeshje boksi mes të dyve vitin e kaluar.

Të nominuarit e Trump për poste të ndryshme sinjalizojnë se administrata e tij do jetë e ashpër ndaj Big Tech, veçanërisht kompanive të mediave sociale, për të cilat shumë republikanë pretendojnë se kanë censuruar zërat konservatorë.

Të martën, Trump emëroi Andrew Ferguson si komisioner në Komisionin Federal të Tregtisë, agjencia rregullatore që ka mbikëqyrjen antitrust të Meta-s.

“Në FTC, ne do t’i japim fund hakmarrjes së Big Tech kundër konkurrencës dhe fjalës së lirë,” tha Ferguson në një postim në X pas nominimit.

VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani