Vendosni fjalën kyçe....

PD interpelancë urgjente me Ogerta Manastirliun për vrasjen e 14- vjeçarit Martin Cani


Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën e radhës plenare, e cila pritet të shoqërohet me debate dhe tensione.

Në rend të ditës është parashikuar një interpelancë urgjente kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar, më 18 nëntor, para shkollës “Fan Noli”. Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, do të përgjigjet për këtë ngjarje tronditëse.

Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese për huanë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, që është ratifikuar me ligjin nr. 57/2015.

Një tjetër projektligj në rendin e ditës është ai për miratimin e rritjes së kuotës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu marrëveshjen për bashkëpunimin me Slloveninë në fushën e mbrojtjes ndaj katastrofave natyrore, si dhe disa ndryshime në ligjin për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.”.

Po ashtu, do të diskutohen projektvendimet për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas përfundimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë.

Seanca e sotme pritet të jetë e ngarkuar me çështje të rëndësishme dhe të nxehta debate.