Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer Indisë më shumë se 1,400 artefakte të vjedhura, me një vlerë prej 10 milionë dollarësh, si pjesë e një nisme të vazhdueshme për riatdhesimin e pasurive kulturore të grabitura nga vendet e Azisë Jugore dhe Juglindore. Ky veprim është njoftuar nga zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit.
Artefaktet e trafikuara përfshijnë objekte që deri vonë ishin në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, përfshirë një skulpturë ranor e një balerini qiellor, që ishte kontrabanduar nga India në Londër dhe më pas ishte shitur ilegalisht një klienti të muzeut.
Riatdhesimet vijnë si rezultat i hetimeve të vazhdueshme që kanë targetuar rrjetet e plaçkitjeve, përfshirë ato të operuara nga trafikantët e dënuar të artit, Nancy Wiener dhe Subhash Kapoor. Kapoor, një tregtar amerikan i antikiteteve, u dënua me 10 vjet burg për drejtimin e një rrjeti grabitjesh multimilionëshe. Ai u arrestua në Gjermani në vitin 2011 dhe aktualisht është në paraburgim në Indi, në pritje të ekstradimit në SHBA.
Ky riatdhesim është një tjetër fitore në një hetim ndërkombëtar që ka goditur një prej shkelësve më të mëdhenj të historisë së trafikut të antikiteteve, tha William Walker, agjenti i posaçëm i Hetimeve Federale të Sigurisë Kombëtare në Nju Jork./CNN