Mundësitë e Vladimir Putin për t’u hakmarrë nëse Perëndimi lejon Ukrainën të përdorë raketat e saj me rreze të gjatë për të goditur Rusinë mund të përfshijnë goditjen e aseteve ushtarake britanike pranë Rusisë ose kryerjen e një testi bërthamor për të treguar qëllimin, thonë tre analistë.
Ndërsa tensionet Lindje-Perëndim mbi Ukrainën hyjnë në një fazë të re dhe të rrezikshme, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden po zhvillojnë bisedime në Uashington të premten nëse do lejojnë që Kievi të përdorë raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë ose raketat britanike Storm Shadoë kundër objektivave në Rusi.
Presidenti Putin, në paralajmërimin e tij më të qartë deri më tani, tha të enjten se Perëndimi do luftonte drejtpërdrejt Rusinë nëse do ecte para me plane të tilla, gje që sipas tij do ndryshonte natyrën e luftës.
Ai premtoi një përgjigje “të përshtatshme”, por nuk tha se çfarë do përfshinte. Në qershor, megjithatë, ai foli për mundësinë e armatosjes së armiqve të Perëndimit me armë ruse për të goditur objektivat perëndimore jashtë vendit dhe për vendosjen e raketave konvencionale brenda distancës goditëse të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë.
Ulrich Kuehn, një ekspert i armëve në Institutin për Paqen dhe Politikën e Sigurisë në Hamburg, tha se ai nuk përjashton mundësinë e Putinit për të dërguar një lloj mesazhi bërthamor, testimin e një arme bërthamore në një përpjekje për të frikësuar Perëndimin.
“Ky do ishte një përshkallëzim dramatik i konfliktit,” tha ai në një intervistë.
“Sepse çështja është se çfarë lloj shigjetash ka lënë më pas Putin për të gjuajtur nëse Perëndimi vijon akoma, përveç përdorimit aktual bërthamor?”
Rusia nuk ka kryer një provë të armëve bërthamore që nga viti 1990, një vit para rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe një shpërthim bërthamor do sinjalizonte fillimin e një epoke më të rrezikshme, tha Kuehn.