Vendosni fjalën kyçe....

OMONIA kundër Ramës: Vijon praktikat e përçarjes së komunitetit të Himarës dhe manipulimit të qytetarëve


Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA) akuzon Kryeministrin Edi Rama se po përçan komunitetin dhe po përhap urrjetje nacionale me deklaratat e tij.

Reagimi vjen lidhur me deklaratat e Kryeministrit nga Himara, ku shpërndau disa çertifikata pronësie.

OMONIA pretendon se Rama shpërndau çertifikatat për banesat e himariotëve dhe jo për pronat në bregdet, të cilat i ka rezervuar për oborrtarët e tij.

 “Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama i mbërthyer në rrugë pa krye për të cilën është përgjegjës ekskluziv, vijon kreshenton e praktikave të përçarjes së komunitetit të Himarës, manipulimit të qytetarëve, shkeljes në fund të fundit të parimeve të shtetit të së drejtës, të barazisë së shtetasve dhe ndaj ligjit.

Sot u kthye në Himarë me iluzionin se ka kaluar kohë e mjaftushme harrese për pasojat që shkakton në komunitetin lokal burgosja dhe mbajtja në privim lirie e Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë z. Fredi Beleri.

Përsëriti një nga shoë të neveritur të mikropolitikës të cilat i vijnë për shtat, duke përgatitur në këtë mënyrë terrenin për proces zgjedhjesh të parakohëshme që po planifikon përmes vendimesh të autoriteteve gjyqësorë të kontrolluar.

Ndërkaq që tejkaloi limitet e tolerimit: Një tellall shëtitës dhe jo burrë shteti, shpërndau tituj pronësie për banesa Himariotësh. Jo për sipërfaqet me rëndësi esenciale ekonomike në bregdet, të cilat i rezervon ashtu si deri më sot për “investitorët strategjikë” të oborrit”, thuhet në deklaratë.

Në vijim OMONIA thekson se me certifikata pronësie të shtetit, sistemit të Kadastrës që mbështet financiarisht Bashkimi Evropian përpiqet të bëjë politikë partiake.

Prezenca madje e makinerisë partiake nuk lë hapësirë për interpretim tjetër. Nuk u shmang të sulmojë verbalisht Kryetarin e PBDNJ që përfaqëson opozitën reale në Bashki duke anashkaluar se kultivon në këtë mënyrë gjuhën e urrejtjes dhe përçarje në komunitetin vendor dhe më gjerë në komunitetin Grek. Praktika këto që në vendin tonë aplikoi regjimi komunist duke klasifikuar pjesëtarët e Minoritetit Etnik Grek në tanët dhe kundërshtarët tanë. Zbuloi se ngarkimi i detyrës së Prefektit të Vlorës në person me origjinë Greke, të provuar në misione analoge, synon nxitjen e politikave të përçarjes së mëtejshme me qëllim manipulimin e komunitetit lokal. Shantazhoi qytetarët të përkatësisë Greke që të mos vetidentifikohen si të tillë sepse nuk është në interesin e tyre.

Thirret Kryeministri prej shumë muajsh tashmë por bën veshin shurdhër i zotëruar nga iluzioni se në fund ka për tia dal të nënshtrojë shoqërinë e qytetarëve të Himarës dhe të vijoj me praktikën e çifligarit së grabituri trevën, në shkelje dhe abuzim me interesin e banorëve të zonës.  Në thelb e bën më të vështirë rrugëdaljen nga labirinti ku është zënë në kurth sepse ka humbur gjakftohtësinë dhe gjykimin e drejtë”, thuhet në deklaratë.