Vendosni fjalën kyçe....

Kërkoi ndarjen nga Bosnja e Hercegovina, SHBA-ja paralajmëron: Ky do jetë fundi i Republikës Sërpska


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

Qeveria e RS-së e bëri këtë propozim gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Ambasada amerikane tha se ky propozim është në shpërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit 

dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.

“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë.

Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin të Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL