Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët e Beratit dhe Fierit në protestë, bllokojnë aksin Berat-Lushnjë: Stop abuzimit me çmimet


Nën moton “Stop masakrimit të fermerëve” dhe “Stop abuzimit me çmimet”, Sindikata e fermerëve ka zhvilluar mesditën e sotme një protestë në vendin e quajtur “Ura e Kuçin”, pikërisht në kufirin ndarën mes Beratit e Fierit.

Fermerët kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje dhe kanë hedhur në rrugë edhe produktet e tyre, domatet e sallatorët, në shenjë indinjimi. Protesta është zhvilluar edhe me tensione dhe ofendime të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë, kur kjo e fundit është përpjekur të pengojë bllokimin e rrugës nga protestuesit.

Fermerët kanë deklaruar se ata po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të diskriminimit dhe mos kontrollit nga shteti të pikave të grumbullimit, që produktet e tyre i marrin me çmime qesharake dhe pa fatura TVSH-je e fatura tatimore.

Sipas fermerëve, puna dhe mundi i tyre po shkon dëm, ata e kanë të pamundur të nxjerrin edhe shpenzimet e kultivimit të prodhimit, blerjes së farave dhe pesticideve. Fermerët deklarojnë se kjo gjendje e rënduar po i detyron ata ti hedhin prodhimet e tyre kanaleve, pasi duke mos u shitur prodhimi kalbet. Fermerët deklarojnë se protestat e tyre do të vazhdojnë dhe i bëjnë apel Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit t’i japi zgjidhje kësaj situate tejet të rënduar.

Armelind Meta, kryetari i Sindikatës së fermerëve të bashkuar, ka deklaruar se protestat e fermerëve, jo vetëm që nuk do të ndalen por do të zhvendosen edhe para kryeministrisë në Tiranë, derisa të plotësohen kushtet e tyre.

Ne do ti vazhdojmë protestat tona deri në zgjidhjen e kësaj situata të rënduar pasi jemi pa asnjë mbrojtje nga shteti dhe jemi të falimentuar”-, ka thënë Meta.