Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ PS-ja nuk paraqitet në mbledhje: U caktua pa dakordësi, opozita të zbatojë ligjin


Puna e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë ka ngecur pasi palët nuk po gjejnë dakordësinë. Partia Socialiste ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e parashikuar sot në orën 13:00, me argumentin se dita e mbledhjes është caktuar në mënyrë të njëanshme nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.

“Përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin Hetimor për kontratat në shëndetësi nuk do t’i përgjigjen thirrjes së kryetares së komisionit Albana Vokshi, për sa kohë në mënyrë të përsëritur vijohet me praktikën e caktimit të rendit të ditës në mënyrë të pakoordinuar dhe padakordësuar. Edhe kësaj radhe, caktimi i rendit të ditës dhe orës e datës së mbledhjes është vendosur pa qenë ne në mbledhje”, thuhet në deklaratë.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë thonë se opozita duhet të zbatojë ligjin dhe t’i kthehet hetimit parlamentar.

“Ne kemi vendosur tashmë deklarimin e hapur të hetimit duke miratuar Planin e Hetimit bashkë me kalendarin, ku pasqyrohen qartë të gjithë hapat hetimorë të komisionit.  Po kështu kemi miratuar kërkesat për marrje provash të opozitës dhe mazhorancës. Për sa kohë mbledhja në fjalë është fuqi, duhet respektuar vendimarrja e anëtarëve të komisionit. 

Çdo shfaqje viktimizimi nga opozita është shprehje e paaftësisë për të ndjekur procedurën ligjore dhe për të kryer një hetim të plotë e serioz. Opozita duhet të heqë dorë nga hetimi partiak dhe t’i kthehet hetimit parlamentar ashtu siç e kërkon ligjit sepse ne kemi vendosur të vijojmë me hetimet dhe të respektojmë kalendarin e Planit Hetimor”, thuhet në deklaratën e PS. 

Puna e Komisionit Hetimor për koncesionet e sterilizimit dhe check up është futur në ngërç, pasi maxhoranca nën drejtimin e zv.kryetarit Plarent Ndreca miratoi planin e hetimit dhe kërkesat për informacion pa opozitën. Kjo e fundit i kërkon Kuvendit të anulojë këtë mbledhje duke e cilësuar si nul, ndërsa akuzojnë PS se po zvarrit punën.