Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri hungarez: Ukraina nuk është më shtet sovran


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se Ukraina nuk është më një shtet sovran.

Sipas tij Ukraina do të shuhej si shtet nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmonin, raporton “Associated Press”.

“Ukraina nuk është më shtet sovran. Ukraina tani është vetëm protektorati i Perëndimit. Pra, pa paratë dhe armët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Ukraina si shtet do të pushonte së ekzistuari. Kështu që nuk është më një shtet sovran”, ka deklaruar kryeministri hungarez.

Orban ka thënë po ashtu se Rusia nuk do ta lejojë asnjëherë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, gjë të cilën e cilësoi madje si arsyen e luftës.

“Arsyeja e luftës është shumë e thjeshtë. Quhet anëtarësim në NATO. Dhe si një vend që u pushtua nga rusët për 45 vjet, mund të them nga përvoja personale se rusët nuk do të lejojnë kurrë anëtarësimin e Ukrainës siç është tani në NATO. Ata do të bëjnë gjithçka për të pasur diçka midis kufirit rus dhe kufirit të vendeve të NATO-s”, ka shtuar ai.