Vendosni fjalën kyçe....

Durrës, mamaja denoncon humbjen e fëmijës 3-vjeçar, akuzon gjyshërit e tij: U bënë 4 ditë, ma kanë marrë edhe nuk ma kanë sjellë


Një fëmijë 3-vjeçar është deklaruar i humbur në Policinë e Durrësit. Fëmija jetonte me nënën e tij, ndërsa babai i kishte ndërruar jetë një vit më parë në një aksident rrugor. Denoncimi në polici është bërë nga nëna e fëmijës.

Fëmija kishte shkuar tek gjyshërit, prindërit e të atit, por prej 4 ditësh nuk gjendet. Kjo ka bërë që nëna ta denoncoj në polici, e cila fillimisht ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gunin 58 vjeç. Ky i fundit pretendon se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë. Ndërkohë në kërkim është shpallur gjyshja e fëmijës 3-vjeçar.

Nëna ka bërë denoncimin, pasi ish-vjehrri nuk i përgjigjej, por në polici deklaroi se nuk kishin konflikte dhe djalin e merrnin rregullisht, për disa orë në fundjavë.

Mamaja thotë se ka 4 ditë që nuk di se ku e ka fëmijën.

“Dua djalin! Kam 4 ditë që nuk e shoh” u sshpreh mamaja e fëmijës.

Sipas Shqiptarja.com, nëna e fëmijës 3-vjeçar, të deklaruar të humbur në Durrës, akuzon vjehrrin e saj dhe gjyshin e fëmijës se ka gisht në humbjen e fëmijës, pasi nuk pranon t’ia japë.

Sipas burimeve në polici, ka dyshime se fëmija mund të jetë marrë dhe larguar jashtë shtetit. Ndërkohë është dhënë sinjal të ruhen pikat kufitare. Gjyshi nuk pranon të bashkëpunojë me policinë dhe vetëm ka heshtur. 

“U bënë 4 ditë, ma kanë marrë që të shtunën në mëngjes edhe nuk ma kanë sjellë. Bashkëshorti ka 1 vit e dy muaj që ka vdekur, edhe ato duan të marrin çunin, spranonin, thonë që të rrijnë me ne. Vjehrri dhe vjehrra ua kam lënë. Disa orë, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite. E kam marrë në mëngjes dhe nuk ma kanë sjellë. Pastaj kur shkova në orën 3 i marr në telefon, ku jeni pse nuk keni ardhu, thonë nuk ta sjellim më.

Shkova direkt tek policia, shkova fillimisht tek shtëpia e tij, nuk ishte dhe shkova më pas denoncova. E kanë marrë në telefon dhe u bënte presion nuk e sjell, vetëm kur të ma japin mua çunin. Kërkonte kushte, që ta marri ai që të mos dali jashtë shtetit. Ai nuk tregon se ku është, thotë se nuk e di, gënjen. Unë jam nga Dibra, ata janë nga Kukësi, duan ta mbajnë ato. Dua çunin tim. U bënë 4 ditë që nuk është këtu. Marrëdhënia me vjehrrin me vjehrrën nuk ka qenë mirë, që kur ka vdekur burri. Kam ikur te shtëpia e babit. Në Kënetë në Durrës’, ka qenë dëshmia e nënës së 3-vjeçarit”, u shpreh nëna e fëmijës.