Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj takohet me Osmanin në Prishtinë: Jemi dy shtete dhe një komb, detyrë të jemi pranë njëri-tjetrit


Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zhvilluar një konferencë për shtyp së bashku me homologen nga Kosova, Vjosa Osmani, në kryeqytetin e Prishtinës.

Begaj u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të të njëjtit komb.

Ai theksoi se Shqipëria do të jetë një avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, ndërsa u shpreh shpresëplotë për votimin që do të zhvillojë nesër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk do i quaja shumë të mira, por janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore. Jemi dy shtet dhe një komb, Kemi detyrën të jemi pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të vështira. Marrëveshjet që kemi firmosur duhet të implementohen dhe të preken nga njerëzit sa më shpejt. Mendoj se Porti i Durrësit apo hekurudha që do lidhë vendet më shpejt janë të rëndësishme për ne.

Politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë evropiane dhe atlantike. Pas një mandati të suksesshëm në KS, do jemi avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Jam shpresëplotë se nesër do kemi një votim të suksesshëm në KiE. Kjo do të na japë më shumë frymëzim për të bërë punë të mira në të ardhmen”, tha Begaj.