Vendosni fjalën kyçe....

Shumica e batalioneve të Hamasit në Gaza janë eliminuar – Netanyahu


Ushtria izraelite ka shkatërruar 19 nga 24 batalionet rajonale të Hamasit në Gaza gjatë gjashtë muajve të luftës, ka pohuar kryeministri Benjamin Netanyahu.

Në një deklaratë përpara një takimi të kabinetit të dielën që shënon gjashtë muaj nga fillimi i luftës në Gaza, Netanyahu tha se Izraeli ishte “një hap larg fitores”.

“Sot shënojmë gjashtë muaj nga fillimi i luftës…Ne eliminuam 19 nga 24 batalionet e Hamasit, duke përfshirë komandantët e tyre të lartë. Ne vramë, plagosëm ose kapëm një numër të konsiderueshëm terroristësh të Hamasit…Ne shkatërruam fabrikat e tyre të prodhimit të raketave, armëve, municioneve”, tha kryeministri.

Lufta filloi më 7 tetor të vitit të kaluar me një bastisje të papritur të Hamasit që mori jetën e rreth 1200 izraelitëve dhe pa kapjen e më shumë se 200 pengjeve.

Netanyahu i shpalli menjëherë luftë grupit militant dhe u zotua ta zhdukte atë. Si rezultat, për shkak të dendësisë së popullsisë së Gazës, mbi 33,000 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në enklavë në muajt në vijim, me një pjesë të madhe të zonës të rrafshuar me tokë.

Në deklaratën e tij, Netanyahu përsëriti se Izraeli duhet të vijojë të luftojë derisa të eliminohen të gjithë militantët e Hamasit. Ai vuri në dukje se Hamasi ende mban peng 133 qytetarë izraelitë dhe theksoi se nuk do flitet për një armëpushim derisa të gjithë ata të lirohen.

“Nuk ka luftë më të drejtë se kjo dhe ne jemi të vendosur ta përfundojmë me fitore të plotë. Për të kthyer të gjithë ata që u rrëmbyen, të kompletojmë eliminimin e Hamasit në gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë Rafahun dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, tha ai.

Delegacionet izraelite dhe të Hamasit zhvilluan negociatat e armëpushimit të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari të dielën në Kajro.

Sipas një raporti në kanalin televiziv Al Arabiya, kërkesat e Hamasit përfshinin heqjen e planeve të Izraelit për të persekutuar dhe eliminuar liderët e tij pasi të ndalojnë luftimet në Gaza, si dhe një armëpushim të qëndrueshëm dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza.

Netanyahu i quajti këto kërkesa “delirante” dhe tha se Izraeli nuk do t’u “dorëzohet atyre”, pasi, sipas tij, ato mund të “rrezikojnë qytetarët tanë dhe ushtarët tanë” në të ardhmen.