Vendosni fjalën kyçe....

Të gjithë japonezët mund të kenë të njëjtin mbiemër pas 500 vitesh  – Studimi


Qytetarët japonezë do kenë të gjithë të njëjtin mbiemër pas 500 vjetësh, nëse çiftet e martuara nuk lejohen tani të përdorin mbiemra të veçantë, sugjeron një studim i ri.

I organizuar nga “Projekti Think Name” dhe i udhëhequr nga Hiroshi Yoshida, Profesor i ekonomisë në Universitetin Tohoku, studimi është pjesë e një fushate për të rritur ndërgjegjësimin për implikimet e mosndryshimit të një ligji që daton nga fundi i viteve 1800.

Nëse qeveria vijon t’u kërkojë çifteve të martuara të kenë të njëjtin mbiemër, atëherë çdo japonez do njihet si ‘Sato-san’ deri në vitin 2531, parashikon hulumtimi.

“Nëse të gjithë bëhen Sato, ne mund të na duhet të na drejtohen me emrat tanë ose me numra,” shpjegoi Yoshida, sipas mediave.

“Unë nuk mendoj se kjo do ishte një botë e mirë për të jetuar,” shtoi akademiku.

Sipas një sondazhi të marsit 2023, “Sato” tashmë kryeson listën e mbiemrave japonezë, duke zënë 1.5% të popullsisë, ndërsa “Suzuki” vjen i dyti.

Japonia mbetet i vetmi vend në botë që kërkon që bashkëshortët të përdorin të njëjtin mbiemër. Çiftet thuhet se duhet të zgjedhin se cilin mbiemër do mbajnë kur martohen, por në 95% të rasteve është gruaja ajo që e ndryshon mbiemrin.

Megjithatë, qeveria ka lejuar që mbiemrat e vajzave të shfaqen së bashku me mbiemrat që marrin pas martesës në pasaporta, leje drejtimi dhe certifikata.

Ndërkohë, anëtarët konservatorë të partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet argumentojnë se ndryshimi i ligjit do “minonte” unitetin e familjes dhe do shkaktonte ngatërrim tek fëmijët.

Studimi, i botuar në mars, por i raportuar për herë të parë këtë javë, ndezi spekulime se ishte shaka për 1 prillin por Yoshida tha se ai donte që ai t’i bënte njerëzit të reflektonin për këtë çështje, sipas The Guardian.