Vendosni fjalën kyçe....

Sisi i Egjiptit betohet për një mandat të tretë


Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi është betuar në detyrë për një mandat të tretë pas fitores së tij në zgjedhjet e dhjetorit. Ceremonia e përurimit u zhvillua në selinë e re të parlamentit të Egjiptit në kryeqytetin e ri administrativ jashtë Kajros të martën.

Sisi u shpall fitues i zgjedhjeve të vitit të kaluar pasi mori 89.6% të votave, duke mundur tre kandidatë relativisht të panjohur. Sipas Autoritetit Kombëtar të Zgjedhjeve (AKM), 39.7 milionë nga 44.7 milionë qytetarët që votuan, mbështetën udhëheqësin në fuqi.

Ish-gjenerali fitoi për herë të parë presidencën egjiptiane në vitin 2014 dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në 2018, duke siguruar një mbshtetje dërrmuese me 97% të votave në të dyja rastet. Ai tani do shërbejë një mandat gjashtëvjeçar, që do përfundojë në vitin 2030.

Fitorja e Sisit erdhi pavarësisht se kombi po përballet me një krizë të rëndë ekonomike që paraqet zhvlerësim të konsiderueshëm të monedhës dhe rritje të çmimeve, si dhe rritje të tensioneve rajonale të shkaktuara nga lufta e vazhdueshme e Izraelit kundër Hamasit në Gazën fqinje.

Kajro ka kërkuar rritje të investimeve, duke përfshirë edhe Rusinë, në mënyrë që të adresojë sfidat ekonomike me të cilat përballet popullsia prej 113 milionë banorësh. Egjipti iu bashkua pesë vendeve anëtare themeluese të BRICS në janar, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Etiopinë dhe Iranin.

Qeveria ka nisur gjithashtu projekte të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë zgjerimin e Kanalit të Suezit dhe ndërtimin e gjerë të rrugëve, të cilat Sisi këmbëngul se janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe popullsinë në rritje të Egjiptit.

Kryeqyteti i ri administrativ në shkretëtirë, në lindje të Kajros, ku u mbajt betimi i Sisit, thuhet se është më i madhi nga megaprojektet e qeverisë, por është konsideruar nga kritikët si një shembull i shpenzimeve të mëdha.

Disa votues i thanë Reuters në dhjetor se lufta në Gaza kishte ndikuar në vendimin e tyre për të mbështetur Sisin, i cili prej kohësh e ka portretizuar veten si një forcë stabilizuese në rajonin e trazuar.

Të hënën, Asambleja Parlamentare e Mesdheut (PAM) emëroi kreun egjiptian si marrësin e çmimit “Kampion i Paqes” për vitin 2024. PAM tha se Sisi u zgjodh për shkak të “përpjekjeve të tij të jashtëzakonshme” për të arritur një armëpushim në Gaza dhe gjithashtu për lehtësimin e dërgesave të ndihmës jetike për popullatën palestineze.