Vendosni fjalën kyçe....

Protesta anti-qeveritare në Izrael, kërkohet lirimi i pengjeve nga Hamasi dhe largimi i Netanyahut


Mijëra protestues dolën në rrugë në qytetet izraelite të Tel Avivit, Jerusalemit, Cezaresë, Raanana dhe Herzliya të shtunën, duke kërkuar lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura në Gaza dhe largimin nga detyra të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Demonstratat e mbajtura në rrugën “Kaplan” në Tel Aviv kërkuan gjithashtu mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të përgjithshme, shkruan CNN.

Një video nga tubimi tregon oficerët e policisë që përpiqen të shtyjnë protestuesit në Portën Begin, një nga portat e hyrjes në selinë ushtarake Kirya në qytet.

“Askush nuk largohet! Ne do të marshojmë për në Jerusalem dhe do të qëndrojmë atje, derisa qeveria të shpërbëhet,” shkruhej në një pankartë.

Në një tubim të veçantë të mbajtur në sheshin e pengjeve në Tel Aviv, të mbijetuarit e robërisë së Hamasit u kërkuan autoriteteve izraelite që të sillnin menjëherë në shtëpi të gjithë pengjet që ende mbahen në Gaza.