Vendosni fjalën kyçe....

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese: Situatë e pazakontë moszbatimi i vendimit për mandatin e Xhaçkës, institucionet të sillen në mënyrë kushtetuese


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka deklaruar se moszbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, është një situatë e jashtëzakonshme.

Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës. Fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër. Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ajo u pyet edhe për kritikat e opozitës se mban anën e qeverisë, siç ishte pakti Rama-Meloni, duke thënë se vlerëson lirinë e shprehjes por gjithnjë pas vendimeve të gjykatës nuk komentohet përtej saj dhe gjithmonë do ketë palë të pakënaqura.

Ne vlerësojmë shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e fjalës, që është një nga liritë më të rëndësishme në Kushtetutë. Vendimi i gjykatës është ai që jepet dhe ne si gjyqtarë nuk komentojmë përtej saj. Patjetër pas çdo vendimi të gjykatë ka palë që mbeten të pakënaqura, siç ndodh në çdo vendimmarrje tjetër të çdo gjyqësori. Pjesën e mendimeve ndryshe ne e shohim si vlerë e lirisë së demokracisë në lidhje me zbatimin e të drejtës për t’u shprehur, por përtej saj vendimi i Gjykatës ka argumentet dhe nuk mund të komentojmë. Patjetër që respektojmë mendimin ndryshe, por si një mendim që i takon publikut. Gjykata vepron në mënyrë hermetike, kështu që pjesa tjetër sesi mendon publiku për një vendim gjykate e bazuar në kushtetutë është vetëm një arritje e të drejtës për t’u shprehur”-tha Zaçaj.