Vendosni fjalën kyçe....

Subvencionet, qeveria u dha ujësjellësve rreth 3 milionë euro vitin e shkuar


Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë përfituar vitin e shkuar 310 milionë lekë,  apo rreth 3 milionë euro nga buxheti i shtetit në formën e subvencioneve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi se ky fond ishte planifikuar në këtë shumë qysh në fillim të vitit dhe u realizua plotësisht.

“Plani vjetor për subvencionin e shoqërive të ujësjellës kanalizimeve, në vlerën 310,000,000 lekë, është realizuar 100%, sipas kritereve dhe metodologjisë, të miratuar në zbatim të udhëzimit nr.12, datë 26.09.2023 “Për miratimin e metodologjisë, për kriteret dhe procedurat, për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve”. Plani vjetor i akorduar, për fondin e veçantë 152,000 lekë, është realizuar në vlerën 105,000 lekë, ose 69%” vlerëson MIE.

Mbështetja buxhetore për ujësjellësit përmes subvencioneve është një praktikë që vijon prej vitesh në kushtet kur këto shoqëri kanë shënuar humbje te vazhdueshme si dhe borxhe prej qindra milionë lekë të akumuluara ndaj kompanive të treta siç janë ato të energjisë. Në shtator të vitit të shkuar sa i takon subvencioneve Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi një metodologji duke renditur pagesat prioritare që duhet të kryheshin me këto para.

“Prioritet për përdorimin e fondit nga shoqëritë rajonale ose/dhe shoqëritë të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e shoqërisë rajonale, është likuidimi i detyrimeve emergjente të cilat pengojnë veprimtarinë normale të shoqërisë” thuhej në metodologji .

Në pikën 4 sqarohej se subvencioni i përfituar sipas pikës 1 të kësaj metodologjie do të përdoret nga AKUM-i së pari për shoqëritë të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen ose kanë krijuar shoqërinë rajonale brenda vitit 2023, sipas VKM-së nr. 302, datë 11.5.2022, të subvencionohen me vlerën nga 30 milionë lekë secila.

Së dyti, pjesa e mbetur e fondit të subvencionit përdoret nga AKUM-i për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike të shoqërive rajonale ujësjellës-kanalizime sipas prioriteteve të mëposhtme:

-Shoqëritë që kanë mbi 75% të prodhimit me ngritje mekanike;

-Shoqëritë që kanë krijuar detyrime të reja për energjinë gjatë vitit 2023, për shkak të kostove të larta të energjisë” thuhet në metodologji.

Vlerësimi i nevojave për fondin e dhënë si dhe shuma finale që  jepet llogaritet nga Agjencia në bazë të dokumentacionit që përcaktohet në kuadrin ligjor.

Sektori i ujësjellës kanalizimeve ka qenë vitin e shkuar në një aktivitet intensiv agregimi duke synuar bashkimin e ujësjellësve për të krijuar ndërmarrje më të mëdha një proces që ka përparuar ndjeshëm dhe ku mbeten shumë pak ndërmarrje që kanë finalizuar këtë ku bën pjesë edhe Tirana, Vora dhe Kamza./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor