Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Biden nënshkruan buxhetin prej 1.2 trilion dollarësh, shmanget mbyllja e pjesshme e qeverisë


 

Kongresi amerikan miratoi në orët e para të së shtunës një projektligj për buxhetin e shtetit që kap shumë prej 1.2 trilion dollarësh. Presidenti Joe Biden e nënshkroi atë në ligj. Buxheti do të financojë qeverinë amerikane për vitin fiskal që filloi gjashtë muaj më parë dhe do të shmang një mbyllje të pjesshme të saj. Projektligji u miratua me 74 pro dhe 24 kundër.

Agjencitë kryesore federale, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit dhe Thesarin, që përfshin agjencinë e tatimeve, do të financohen deri më 30 shtator pas miratimit të masës në Senatin me shumicë demokrate.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi të premten një projektligj prej 1.2 trilion dollarësh për të financuar qeverinë deri në shtator, duke i lënë Senatit me shumicë demokratike orë të tëra për të vepruar përpara skadimit të afatit.

Votimi 286-134 sinjalizoi fundin e një beteje më shumë se gjashtë mujore mbi buxhetin për vitin fiskal që filloi më 1 tetor.

Por lëvizja e Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili anashkaloi anëtarët e vijës së ashpër të grupit të tij parlamentar, duke e miratuar projektligjin me më shumë mbështetje të ligjvënësve demokratë sesa atyre republikanë, zemëroi ligjvënësen Marjorie Taylor Greene, e cila bëri thirrje për rrëzimin e tij nga posti i Kryetarit.

Kjo mund të shkaktojë një përsëritje të skenave të fillimit të tetorit, kur një grup i vogël republikanësh të linjës së ashpër të zemëruar që paraardhësi i zotit Johnson, Kevin McCarthy, kishte miratuar një buxhet të përkohshëm pavarësisht nga kundërshtimet e tyre, e rrëzuan atë nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve./VOA