Vendosni fjalën kyçe....

S’e pranoi të parën, Izraeli kërkon marrëveshje të re nga Hamasi


Shefi i Mossad-it, David Barnea po udhëton në Katar për të vijuar bisedimet e armëpushimit me Hamasin, por nuk do pranojë një marrëveshje të propozuar javën e kaluar nga militantët palestinezë, raportoi të hënën i24 News i Izraelit.

Barnea, që drejton agjencinë e inteligjencës izraelite, do kërkojë të rinegociojë marrëveshjen “e keqe” të paraqitur nga Hamasi, raportoi i24, duke cituar burime qeveritare.

Të njëjtat burime theksuan se një marrëveshje e re nuk ka gjasa të arrihet në Doha, me faqen hebraike të lajmeve Ynet duke cituar burime të tjera qeveritare të thonë se ekipi i Barneas kishte kërkuar “një sasi të konsiderueshme kohe” për të hartuar një marrëveshje të re.

Hamasi njoftoi të premten se ua kishte paraqitur “vizionin” e tij të armëpushimit ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit. Reuters më vonë zbuloi hollësi të propozimit të Hamasit, për të cilin tha se parashikon një udhërrëfyes me dy faza drejt përfundimit të luftimeve.

Armiqësitë do ndërpriteshin gjatë fazës së parë për t’i lejuar militantët të lironin gratë, fëmijët, të moshuarit dhe pengjet e sëmurë izraelitë, në këmbim të lirimit nga burgjet e Izraelit të 700 deri në 1000 të burgosurve palestinezë, njoftoi agjencia e lajmeve. Me përfundimin e shkëmbimit, do binte dakord për një afat përfundimtar për një tërheqje izraelite dhe armëpushim të përhershëm, pas së cilës të gjithë të arrestuarit nga të dyja palët do liroheshin në fazën e dytë të planit.

Në një postim në mediat sociale më vonë të premten, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i përshkroi kërkesat e Hamasit si “joreale”.

Zyra e Netanyahut tha gjithashtu të premten se ai kishte miratuar planet për të sulmuar qytetin Rafah në Gazën jugore. Me më shumë se një milion palestinezë të shtyrë në Rafah nga sulmet izraelite në pjesë të tjera të enklavës, një sulm ndaj qytetit “mund të çojë në një masakër” të civilëve, ka paralajmëruar OKB.

Izraeli ka zhvilluar një fushatë të pamëshirshme ajrore dhe tokësore kundër Gazës për më shumë se pesë muaj, pas sulmit të befasishëm të Hamasit më 7 tetor, i cili pa 1200 njerëz të vrarë dhe 250 të marrë peng. Forcat izraelite që atëherë kanë vrarë rreth 32,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.