Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e Jared Kushner në Serbi, 10 vite më parë Trump shfaqi interes për të njëjtën pronë


Më shumë se një dekadë më parë, përpara se të kandidonte për president, Donald Trump shprehu interes për të zhvilluar të njëjtin vend në Beograd, ku dhëndri i tij tani planifikon të investojë 500 milionë dollarë për rindërtimin.

Plani i Jared Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit për të rizhvilluar një vendndodhje të çmuar në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, i bën jehonë interesit të Donald J. Trump një dekadë më parë për të arritur një marrëveshje për vendin dhe një propozim të ngjashëm të nxitur gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë nga një ndihmës i rëndësishëm i ish-presidentit, i cili tani punon me z. Kushner, tregon një rishikim i projektit.

Marrëveshja në tentativë midis ekipit Kushner dhe qeverisë serbe do t’i jepte firmës së investimeve të Kushner-it një qira 99-vjeçare, pa pagesë, dhe të drejtën për të ndërtuar një hotel luksoz dhe kompleks apartamentesh si dhe një muze në vendin ku dikur ishte selia qendrore s Ministria e Mbrojtjes Jugosllave në Beograd, e cila u bombardua nga NATO në Luftën e Kosovës në vitin 1999. Një draft i marrëveshjes iu dha The Neë York Times nga një zyrtar serb.

Në vitin 2013, dy vjet para se të fillonte të kandidonte për president, Trump, vjehrri i Kushner, i tha një zyrtari të lartë të qeverisë serbe se donte të ndërtonte një hotel luksoz në atë vend.

Bashkëpunëtorët e Organizatës Trump udhëtuan në Beograd për të inspektuar vendndodhjen. Projekti nuk arriti dot të përmbyllej përpara zgjedhjes së Trump në vitin 2016 dhe pasi u betua, ai u zotua se nuk do bënte asnjë marrëveshje të re me jashtë.

Por zhvillimi i zonës në fjalë ka tërhiqur sërish interes nga rrethi i Trump-it.

Richard Grenell, të cilin Trump e kishte emëruar si të dërguar të posaçëm në Ballkan, nxiti një plan gjatë administratës Trump që Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë së bashku për të rindërtuar vendin ku dikur ndodhej Ministria e Mbrojtjes.

Ai argumentoi në favor të përdorimit të investimeve amerikane për të shndërruar zonën në fjalë të Beogradit ndërsa ishte ende duke shërbyer në cilësinë e tij zyrtare si diplomat amerikan në vitin 2020, sipas transkripteve dhe një regjistrimi, të bëra gjatë disa konferencave të shtypit të qeverisë.

Kushner tha në një intervistë të dielën se ai kurrë nuk kishte diskutuar projektin e Beogradit me vjehrrin e tij Donald Trump dhe nuk ishte në dijeni të interesit paraprak të vjehrrit të tij për rizhvillimin e vendit.

“Nuk e kisha idenë se vjehrri im kishte qenë më parë i interesuar për zonën dhe dyshoj se ai ka ndonjë informacion për këtë marrëveshje për të cilën po punojmë,” tha Kushner.

Përfaqësuesit e Trump nuk iu përgjigjën kërkesave të shumta për koment as për përpjekjet e tanishme të Kushner dhe as për interesin paraprak të Trump për zhvillimin e zonës në fjalë të Beogradit.

Richard Grenell tha se ai gjithashtu nuk kishte njohuri për interesin e Trump-it për vendin para presidencës së tij. Por ai tani po punon me Kushner-in për marrëveshjen e re të zhvillimit dhe, sipas z. Kushner, ai ishte forca kryesore që e shtyu atë të konsideronte investimin e Beogradit.

Në rolin e tij si i dërguar i posaçëm gjatë dy viteve të fundit të administratës Trump, Grenell ndihmoi në nxitjen e bisedimeve të pajtimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, dy kombe fqinje që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga fundi i luftës në Bosnjë në 1995.

Lidhja midis rolit të Grenell në shtytjen për rizhvillimin e zonës së Beogradit, si brenda dhe jashtë qeverisë, dhe marrëveshjes në tentativë të z. Kushner tani për të zbatuar propozimin për përfitime personale, ngre pyetje të reja në lidhje me konfliktet e interesit midis roleve të tyre publike dhe atyre private, teksa Trump kërkon sërish presidencën, ndërkohë që qeveritë e huaja po e vëzhgojnë nga afër.

Kushner konfirmoi të premten se firma e tij e investimeve po ndiqte marrëveshjen në Serbi, si dhe projektet e pasurive të paluajtshme luksoze në Shqipëri dhe se ai priste të përnmyllte së shpejti marrëveshjet.

Mbivendosja midis veprimeve zyrtare që z. Kushner dhe z. Grenell ndërmorën gjatë shërbimit në qeveri dhe marrëveshjeve të biznesit që ata po ndjekin në rajonet ku ata shërbyen, mbart jehonën e marrëveshjeve të arritura nga ish-sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe z. Kushner në Lindjen e Mesme pas largimit nga detyra.

Mnuchin dhe Kushner, të cilët të dy ishin aktivë në diplomacinë e Lindjes së Mesme, themeluan firma investimesh pasi u larguan nga administrata Trump, të cilat më pas siguruan miliarda dollarë nga qeveria saudite dhe qindra miliona dollarë nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

Kathleen Clark, një Profesore e Drejtësisë në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis e specializuar në etikën e qeverisë, tha se projekti Kushner në Serbi do krijonte një konflikt interesi nëse Trump do rizgjidhej president, edhe nëse kjo nuk do ishte një përpjekje e gjatë nga familjarët për të pasur qasje në zonën në fjalë.

“Shqetësimi është se qeveria e Serbisë mund të përpiqet të ndikojë ndaj një presidenti të ardhshëm Trump duke pasuruar familjen e presidentit,” tha ajo. Politika e jashtme ndaj Serbisë duhet të ndikohet nga ajo që është në interes të Shteteve të Bashkuara, jo nga ndonjë favor financiar që vjen nga qeveria serbe.

Fushata e vitit 2020 nga Grenell për të rishqyrtuar rindërtimin në vendin e ish-selisë ushtarake të bombarduar erdhi, sipas zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, menjëherë pasi Trump kishte pritur Aleksandar Vuçiç, presidentin e Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë asaj vizite, Vuçiç vlerësoi progresin që Grenell kishte bërë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Trump vlerësoi gjithashtu Grenell-in gjatë ceremonisë, ku ky i fundit e përshkroi përparimin midis dy palëve si një rezultat të qartë të presidencës Trump dhe një rezultat që mund të çojë në një përparim politik. Kushner po shërbente asokohe si këshilltar i lartë i Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Që në fillim, ajo që Presidenti Trump tha, është: Le t’u japim atyre një shije të vogël të ekonomisë sipas Trump,” tha zoti Grenell, sipas një transkripti.

“Le t’u tregojmë atyre se si të zhvillojnë ekonominë, si të zhvillojnë industri dhe t’i rritin ato.”

Ish selia ushtarake në kryeqytetin serb, Beograd, në vitin 2010. Ajo u shkatërrua gjatë një fushate ajrore të NATO-s të udhëhequr nga SHBA në 1999

Në vitet 2018 dhe 2019, ndërsa shërbente si ambasador në Gjermani në administratën Trump, Grenell, i cili u ka thënë të besuarve se aspiron të jetë Sekretar i Shtetit në një mandat të dytë të Trump, u përpoq të zgjeronte portofolin e tij dhe të jepte fitore të profilit të lartë për shefin e tij.

Ai ishte armiqësuar me zyrtarët e lartë në qeverinë gjermane përmes stilit të tij kaustik të diplomacisë, por kishte filluar të kultivonte marrëdhënie të tjera në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe atë me Vuçiç-in.

Ndërsa ishte ende ambasador në Gjermani, Grenell e ngacmoi Trump-in mbi idenë e emërimit të tij për të ndërmjetësuar konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës, thanë dy ish-zyrtarë të administratës Trump.

Njëzet e pesë vjet më parë, forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë ushtarakisht për të mbrojtur myslimanët në Kosovë nga spastrimi etnik nga qeveria serbe. Ish-shtabi i ushtrisë jugosllave në qendër të Beogradit, ndonëse kryesisht i papërdorur në atë kohë, ishte një nga objektivat. Godina ka qëndruar në gjendjen e saj të dëmtuar që atëherë dhe shihet nga serbët si një simbol i vuajtjeve të tyre gjatë sulmeve të NATO-s.

Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia, e cila nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si një vend sovran.

Në tetor 2019, Trump emëroi Grenell-in si “të dërguarin e tij special presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës”.

Richard Grenell, në qendër, dhe Kushner, djathtas, në një konferencë të vitit 2020, me Robert O’Brien, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare.

Departamenti i Shtetit kishte tashmë një ekip që punonte për këto çështje dhe Grenell kishte relativisht pak përvojë në Ballkan.

Grenell shihej gjerësisht në mesin e diplomatëve evropianë si favorizues i palës serbe në negociata dhe ai u prit ngrohtësisht në Beograd. Ai ushtroi presion të jashtëzakonshëm ndaj kryeministrit Albin Kurti të Kosovës për të hequr tarifat ndaj produkteve serbe dhe aleatët e shquar të Trump filluan të bëjnë thirrje publike për tërheqjen e paqeruajtësve amerikanë nga Kosova. Grenell nga ana e tij kishte një aleat të rëndësishëm në Kosovë: presidentin e asaj kohe, Hashim Thaçi, i cili më vonë u akuzua për krime lufte.

Grenell hodhi poshtë çdo sugjerim se ai po favorizonte dikë në bisedime. Ai tha se u nderua nga krerët e të dy vendeve, Vuçiç në Serbi dhe Thaçi në Kosovë, për rolin e tij në ndihmën për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për normalizimin ekonomik.

Por ai pranoi se në veçanti kishte bërë përparim nën drejtimin e Trump në shtrëngimin e lidhjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

“Më kishte lindur shumë dashuri për të çuar përpara marrëdhëniet serbo-amerikane,” tha Grenell në një intervistë me The Times të dielën.

Gjatë kohës së tij si i dërguar në Ballkan, z. Grenell zhvilloi miqësi me zyrtarë të lartë serbë, duke përfshirë z. Vuçiç dhe Sinisa Mali, ministri serb i Financave, për të cilët zyrtarët në Beograd thanë se luajtën një rol në miratimin paraprak të marrëveshjes së hotelit të Kushner. Mali nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Grenell postoi në faqen e tij në Instagram një video të tij dhe të Mali-t duke kënduar në vitin 2021 brenda një klubi të mbushur plot në Beograd, të rrethuar nga të tjerë duke kërcyer nën muzikën buçitëse, ndërsa valëvitnin flamujt serbë dhe mbanin fishekzjarre e pishtarë.

Grenell u kthye në Serbi dhe Shqipërinë fqinje menjëherë pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë për të filluar shtyrjen përpara të projekteve të zhvillimit që janë miratuar nga kompania e Kushner, duke përfshirë marrëveshjen e Beogradit.

Drafti i marrëveshjes i dhënë për The Times nga një zyrtar i qeverisë serbe specifikon gjithashtu mundësinë e transferimit zyrtar të pronës në fjalë te partneriteti i Kushner pa pagesë, pasi të ndërtohen kompleksi hotelier dhe njësitë rezidenciale luksoze.

Kushner, në një intervistë, nuk e kundërshtoi vërtetësinë e dokumentit të marrë nga The Times. Ai tha se palët kishin rënë dakord paraprakisht që t’i jepnin qeverisë serbe 22 përqind të fitimeve nga projekti rreth 500 milion dollarësh.

Kompania e Kushner, Affinity Partners, tha në një deklaratë se zona e Beogradit do “kthehej në një hotel luksoz të klasit botëror” por se do përfshinte gjithashtu një muze dhe memorial të projektuar nga arkitektë serbë, për të nderuar rëndësinë e zonës në historinë e re të Serbisë.

Kushner tha se Richard Grenell e kishte nxitur atë për të vazhduar projektin.

“Richard është një mbështetës i madh i investimit në Ballkan dhe është përpjekur të më shtyjë të investoj në këtë projekt që kur nisa fondin tim”, tha Kushner, duke vënë në dukje se një kompani amerikane do rindërtonte një vend që NATO e kishte bombarduar.

Përfaqësuesit e qeverisë serbe nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve dhe kërkesave të shumta për koment.

Danijela Nestoroviç, një anëtare e partisë opozitare në Parlamentin e Serbisë, dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj dënuan marrëveshjen e propozuar të Kushner-it në një deklaratë për The Times, duke vënë në dukje se disa njerëz u vranë dhe 40 u plagosën gjatë sulmeve të NATO-s kur ndërtesa u bombardua.

“Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është një memorial për ne,” tha ajo në deklaratë, duke iu referuar selisë ushtarake të bombarduar.

“Ajo nxit emocione të thella, të forta për viktimat e bombardimeve të NATO-s. Të ndërtosh një hotel atje, do ishte tallje për qytetarët e Serbisë”.

Grenell, në një intervistë, tha se marrëveshja e Kushner-it përfaqësonte një mundësi për të “shndërruar një simbol të konfliktit të mëparshëm në një urë miqësie dhe rinovimi” dhe se “simbolizon përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë për të shëruar plagët e së shkuarës”

Në vitin 2020, kur Grenell i kishte shtyrë zyrtarët serbë që të mendonin të punonin me investitorët amerikanë për të rizhvilluar objektin në Beograd, Ivica Daçiç, i cili deri atëherë po shërbente si ministër i Jashtëm në qeverinë serbe, kujtoi një vizitë që kishte bërë në Kullën Trump në Nju York në vitin 2013. Pikërisht atëherë Trump kishte diskutuar fillimisht projektin e hotelit në ish-selinë e mbrojtjes.

“Unë nuk mendoj se ai e ka harruar atë dëshirë,” tha Daçiç në një konferencë shtypi në vitin 2020, duke iu referuar Trump-it.

Projekti i propozuar në Serbi është vetëm një nga tre marrëveshjet që Kushner dhe Grenell po përpiqen të zhvillojnë në Ballkan.

Kushner tha të premten se kontratat përfundimtare nuk ishin nënshkruar, por se negociatat kishin ecur shumë përpara dhe se ai shpresonte se ato do përmbylleshin me sukses. Ai kundërshtoi çdo sugjerim se kompania e tij po merrte trajtim të veçantë.

Ai tha gjithashtu se e dinte se pozicioni i tij ishte i një profili të lartë, pasi është i martuar me vajzën e madhe të ish-presidentit Trump, Ivanka, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë në administratën Trump, kështu që ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ishte i kujdesshëm dhe të vepronte brenda kufijce ligjorë e etikë.

“Gjithçka duhet të jetë plotësisht e rregullt,” tha ai.

Ben Protess kontribuoi në shkrim.

*Një korrigjim është bërë më 17 mars 2024: Një version i mëparshëm i këtij artikulli shkruante gabim emrin e dhënë të ish-presidentit të Kosovës. Ai është Hashim Thaçi, jo Hacimi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani