Vendosni fjalën kyçe....

Pazaret Rama-Berisha-Basha


Nga Indrit Vokshi

Në vitin 2017 Lulzim Basha mbylli çadrën dhe shkoi në pakt me Edi Ramën. Pakti ishte kundër partive të vogla apo partive të reja. Ishte pakt kundër një sistemi politik pluralist dhe demokratik, kundër vlerave euro-atlantike të cilat sot po përmenden kaq shumë.

Atë çka bënë Berisha-Rama në vitin 2008 e përsëritën Rama-Basha në vitin 2017. Në vitin 2017, Rama-Basha bashkarisht dogjën afatet proceduriale dhe iu pamundësuan partive të reja apo të vogla të merrnin pjesë në zgjedhje si koalicione dhe të shumonin votat e tyre. Nuk duhen harruar këto të vërteta.

Pakti Rama-Basha u paraqit underground si pakt kundër Ilir Metës, duke tentuar kështu t’i jepnin legjitimitet atij pakti. Sepse duke e shpallur paraprakisht se Ilir Meta është e keqja e vendit pakti kundër tij rrjedhimisht konsiderohej si në të mirë të vendit.

Në të vërtet aq sa ishte kundër Metës, pakti kishte synim një sistem politik bipolar ku në skenën politike do të jetonin vetëm Rama e Basha. Ishte anti-demokratik.

Berisha e përshëndeti paktin si “win-win” për arsye të cilën do ta shpjegoj në vazhdim.

I vetmi i cili u rebelua ishte Ilir Meta. Mirëpo nga krahu demokrat Ilir Metën nuk e dëgjoi askush dhe nuk iu dhimbs askujt sepse shumë shpejt agjitatorët demokratë e gjetën justifikimin për “vrasjen” e Metës; ata thanë se LSI iu ka marrë vendet e punës në shtet gjatë viteve 2009-2013. Prandaj Basha po vepron drejt që në pakt me Edi Ramën po zhduk LSI-në (askush nuk pyeti nëse ky veprim ishte demokratik). Çështje plaçke.

Në realitet vetëm LSI-ja nuk u zhduk. Meta arriti të konfirmojë mandatet e vitit 2013. Ajo që u zhduk ishte PD e cila doli me 44 mandate. Ato që u zhdukën dhe u penalizuan ishin partitë e vogla të cilave Rama-Basha nuk iu dhanë mundësinë të garonin veçmas e të rriteshin në zgjedhje – ato duhet të kandidonin në listat e partive të mëdha. Ky ishte pakti Rama-Basha.

Doktori i demokracisë dhe i votës së lirë për të cilin pakti ishte “win-win”, doli dhe deklaroi përsëri se pakti ishte e mirë por Basha nuk diti të fitojë prej tij dhe ta kapitalizojë atë.

Berisha kishte të drejtë që Basha nuk arriti ta kapitalizojë përfitimin prej paktit diktatorial me Ramën sepse që pakti Rama-Basha të funksiononte dhe të fitonte legjitimitet duhej që të përsëritej rezultati i vitit 2013; duhej që PS të mos merrte e vetme 71 mandate.

Duke marrë PS psh 67 mandate, duke marrë PD 55 mandate, mund të përgatitej një Koalicion i Madh PS-PD si i modelit si në Gjermani. Koalicion i maskuar pas integrimit europian.

Basha nuk arriti të fitonte mbi 55 mandate prandaj skenari për diktaturë bipolare Rama-Basha nuk funksionoi.

Doktori i Pluralizmit u shfaq përsëri në janar të vitit 2018 në ABC News me qëllim për t’i ambientuar demokratët me mendimin se koalicioni PS-PD nuk është diçka e keqe. Ai tha se në vitin 2009 nëse Ilir Meta nuk do të pranonte koalicion me PD, ai do t’i kishte ofruar koalicion Edi Ramës. Duke argumentuar se duhet t’i bindemi verdiktit popullor.

Berisha e Basha mesa dukej e synonin një Koalicion të Madh PS-PD sepse kishin nevojë emergjente për tu strehuar në pushtet.

Sot në vitin 2024 në vend të Ilir Metës është Lulzim Basha. Atë që Meta bënte në vitin 2009 dhe në vitin 2017 ku akuzonte dy të mëdhenjt për pakt në dëm të demokracisë po e bën sot Basha i cili po akuzon Grupin Parlamentar të Opozitës dhe Grupin e Mazhorancës për pakt në dëm të demokracisë. Me demokraci kupto në dëm të tij, sepse të tillë prototipa kanë zakon të identifikojnë veten me demokracinë.

Basha nuk është më demokratik sesa Rama dhe Berisha apo Meta. Ky nuk është mendim personal i imi por fakt; Basha shkoi në paktin e vitit 2017 me Edi Ramën, pakt i cili po të analizohet nga aspekti demokratik është krejt kriminal. Basha ishte gati për pakt kriminal me Ramën dhe u dakordësua, thjesht nuk mundi ta aplikojë.

Nëse Rama e Berisha janë diktatorialë, janë imoralë, janë klientelistë, Basha është po aq imoral sa këta, po aq klientelist sa këta, po aq lekist sa këta, po aq qejfli diktature sa këta.

Dallimi politik midis tyre është se Basha është më i dobët se këta e nuk ka fuqi për t’i funksionalizuar në terren marrëveshjet që bën. Ndërsa Rama e Berisha kanë fuqi dhe janë shumë seriozë në diktaturë. Ky është i vetmi dallim. Ska as dallim kulturor, as ideor, as në demokraci, askund.

Për ta forcuar ketë argument duhet të kujtojmë se Basha nuk e ka përjashtuar Sali Berishën me vullnet të lirë të vetin. E ka përjashtuar prej frikës amerikane. Ai iu tha shqiptarëve se me Sali Berishën ska asnjë dallim ideor apo konceptual por ka vetëm frikë prej amerikanëve. Dallimi i vetëm është frika; Basha i ka amerikanët frikë më shumë sesa i ka Berisha.

Pakti i fundit Bardhi-Çuçi, ose Berisha-Rama nuk është asgjë krahasuar me paktin Rama-Basha të vitit 2017 i cila është shumë më diktatorial.

Edhe vetë akuzatori, Basha, sot nuk i akuzon deputetët demokratë se po ndryshojnë diçka, përkundrazi po i akuzon se nuk po pranojnë të ndryshojnë diçka.

Shikoni sa humoristike është situata; Basha i akuzon deputetët demokratë se ata nuk po pranojnë të ndryshojnë paktin e vitit 2008, pakt të cilin vetë Basha si ministër dhe deputet e ka votuar.

Basha e ka votuar paktin e vitit 2008 mirëpo i thotë shoqërisë shqiptare se deputetët janë fajtorë pse nuk po kërkojnë të ndryshohet ai pakt të cilin ne e kemi dhuratë edhe prej Bashës. Pra Basha është bashkëautor i një pislliku por të akuzon pse ti nuk po e zhbën pisllikun e tij sepse atij sot, nuk i leverdis pislliku që ka kryer dje.

Për më tepër, paktin e vitit 2008 vetë Basha ska kërkuar asnjëherë ta ndryshojë. Gjatë 8 vjetëve kryetar i PD ai nuk ka kërkuar ndryshimin e paktit të vitit 2008.

Nuk ka kërkuar sepse asokohe ishte kryetar i një partie të madhe dhe nuk i leverdiste biznesit të tij ndryshimi i paktit 2008. Sot është kryetar i një partie të vogël, prandaj e kërkon, për interes krejt personal, për tia përshtatur interesave biznes-politike, sepse duke marrë 9 mandate në vitin 2025, Basha i negocion bizneset dhe pasuritë e tij më mirë sesa duke marrë vetëm 4 mandate.

Prandaj i nevojitet Shqipëria një zonë e vetme elektorale që votat e Korçës të mund t’i shumëzohen me votat e Shkodrës dhe të mundet të marrë ndonjë mandat.

Ka frikën e madhe se mund t’i përsëritet fati i LSI-së në vitin 2021 e cila me 104.000 vota fitoi vetëm 4 mandate pasi proporcionali rajonal i djeg votat. Është interes krejt personal dhe biznesor, aspak interes i shoqërisë shqiptare dhe i sistemit politik shqiptar.

Basha po i akuzon deputetët demokratë pse ata spo veprojnë për interesat politiko-biznesore të Bashës. Pse duhet ata të veprojnë për interesat biznesore të Bashës? Këtu qëndron humori sepse kjo është sjellja e Andon Ledhit të cilin duhet ta llastosh dhe ta mbash me hatër përgjithmonë, përndryshe mërzitet.

Për ta përmbyllur: Ata të cilët e justifikojnë Lulzim Bashën duke thënë se deri dje ka qenë nën komandën e Berishës ndërsa sot është i lirë, së pari e kanë gabim, sepse me 9 shtator 2023, pa qenë në komandën e Berishës, Lulzim Basha manipuloi dhe trukoi votimin brenda partisë, duke iu vërtetuar njerëzve se si me Berishën, si pa Berishën ai është i njejti.

Së dyti, imagjinoni pak për një moment: Nesër Erion Veliaj prish mardhëniet me Edi Ramën dhe, grupi i Veliaj del e deklaron se Erion Veliaj ska asnjë faj pasi ai ka vepruar nën komandën e Edi Ramës dhe të gjitha veprat e Veliaj, janë vepra të Ramës. A duhet ta votojmë Veliajn?

Ose-ose imagjinoni një oficer të Toto Riinës në mafie i cili del e deklaron se i ka kryer vrasjet por urdhërat i ka dhënë Toto Riina. A quhet i mirë ky oficeri vrasës, vetëm pse ka vrarë me urdhër?

Kështu edhe historia e Lulzim Bashës. Ka bërë paktin Rama-Basha për diktaturë bipolare, ka djegur mandatet dhe bashkitë duke i falur pushtetit supremaci në shoqëri, pra është bashkëautor në vrasjen e sistemin politik shqiptar. E ka vrarë me urdhër apo ka vrarë pa urdhër të Sali Berishës, fakti është se ka vrarë.

Prandaj sot njerëzit nuk duan t’i dëgjojnë klithmat e dikujt i cili ka shkrepur plumbin e tij në vrasjen e sistemit politik!

“Kush jeton nga shpata, prej shpatës do të vdesë” – shkruhet në shkrimet e shenjta. Lulzim Bashës sot po i bëjnë atë çka ai me urdhër apo pa urdhër, ua ka bërë dikur të tjerëve, ka përdorur numrat parlamentarë për të mos ua konsideruar interesat.

Sot ska numra në parlament, numrat i ka tjetërkush, prandaj Basha klith. Klith prej traumës se ka humbur statusin dhe nuk është më Andon Ledhi në “Mbretërinë Blu” të “Babit të Demokracisë”.