Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Evis Berberit, PL: Dëshmi se qeveria e Edi Ramës është zhytur në zhvatjen e taksave të shqiptarëve


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, me anë të një deklarate për mediat, ka komentuar arrestimin e krahut të djathtë të ministres Belinda Balluku, Evis Berberit.

Blushi shprehet se korrupsioni i Rilindjes është përhapur në të gjitha institucionet, teksa e cilëson si arsyen kryesore për jetesën e vështirë të shqiptarëve.

Sipas tij, vetëm zhdukja e korrupsionit në Shqipëri mund të kthejë situatën ekonomike në normalitet.

 

 

Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi

Arrestimi i sotëm i Drejtorit të Autoritetit të “Rrugëve të florinjta”, Evis Berberi me akuzën e korrupsionit, si dhe faktimi në raportin më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të grabitjes dhe shpërdorimit të rreth 6 milion euro nga drejtuesit e Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare janë dëshmia më e freskët se Qeveria e Edi Ramës është zhytur pa kthim në zhvatjen e pandalshme të taksave të shqiptarëve.

Korrupsioni i shfrenuar dhe skizofrenik është përhapur në të gjitha institucionet.

Është kjo arsyeja pse sot shqiptarët festojnë edhe më të varfër se një vit më parë, pse ndihma ekonomike, pagat dhe pensionet janë shumë më të ulëta se sa në Kosovë, pse çmimet e ushqimeve, barnave dhe të energjisë janë shumë herë më të larta se në rajon, sepse i vetmi qëllim madhor i Qeverisë është grabitja pa pushim e shqiptarëve.

Me Edi Ramën kryeministër Shqipëria vetëm zhytet në korrupsion, duke u renditur e para në kontinent dhe e dyta në botë për ryshfet pas Zambias, ndërkohë që Kosova përmirësohet me 20 vende vetëm në dy vite.

Vetëm vlera e grabitjes më të fundit të bandës së “rilindasve” që drejtojnë sot KESH-in është barabartë me masën e pensionit mesatar të rreth 23 mijë pensionistëve në qytet apo të rreth 42 mijë pensionistëve në fshat.

Ndërkohë që vlera e dy kilometrave të florinjta të rrugës së shembur Korçë-Ersekë që ka “qethur”  Belinda Balluku me Berberin e ARRSH-së të arrestuar sot për korrupsion janë të barabarta me masën e pensionit mesatar të rreth 40 mijë pensionistëve në qytet apo të rreth 72 mijë pensionistëve në fshat.

Mjaftonin vetëm këto miliona euro të “avulluara” vetëm si pasojë e korrupsionit, aferave dhe keqmenaxhimit për të ndryshuar jetën e dhjetëra mijëra pensionistëve në mbarë vendin, që mezi shtyjnë muajin për të blerë ushqimet, ilaçet dhe për të paguar faturat e energjisë elektrike.

Pensionistët shqiptarë janë sot shtresa më e vjedhur, më goditur, më e varfër, më e diskriminuar dhe më e pambështetur!