Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra protestojnë kundër qeverisë në Sllovaki, kundërshtojnë afrimin me Rusinë


Mijëra njerëz dolën të martën në rrugët e kryeqytetit të Sllovakisë Bratislava për të treguar mbështetje për Ukrainën dhe për të protestuar kundër qeverisë sllovake, e cila sipas kritikëve është afruar shumë me Rusinë.

Qeveria e kryeministrit Robert Fico ka ngritur alarmin në mesin e kritikëve që nga marrja e pushtetit tetorin e kaluar me kritikat e saj të forta për ndihmën ushtarake të Evropës për Ukrainën dhe shtytjen e saj për të ripërtërirë lidhjet ruse si kulturore ,ashtu edhe politike.

Rasti i fundit erdhi këtë muaj kur ministri i jashtëm i Sllovakisë Juraj Blanar zhvilloi bisedime me homologun rus Sergei Lavrov, një takim i rrallë i nivelit të lartë midis një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi që BE-ja ka kërkuar ta izolojë.

“Njerëzit në Ukrainë e dëgjojnë këtë çdo ditë,” i tha turmës organizatori i protestës Michal Hvorecky, ndërsa demonstrata filloi me tingujt e sirenave të sulmit ajror.

“Unë jam këtu sepse veprimet e këtij koalicioni qeveritar i kalojnë të gjithë kufijtë,” tha Hvorecky nga një podium ku një tabelë që e quante Rusinë një “shtet terrorist” qëndronte varur së bashku me flamujt sllovak, ukrainas, të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Organizatorët vlerësuan se 5,000 njerëz morën pjesë, sipas faqes së internetit të lajmeve Dennik N.

Fico është përballur me protesta të rregullta të udhëhequra nga opozita kundër politikave të tij, kryesisht një rishikim të kodeve penale që kritikët thonë se dobësojnë luftën kundër korrupsionit, por kjo ishte e para e drejtuar mbi politikën e tij të jashtme.

Fico ka mbrojtur politikën e jashtme “të ekuilibruar dhe sovrane” të qeverisë së tij dhe ka thënë se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Ukrainë, që vijon më shumë se dy vjet pas pushtimit të Rusisë.

Ai ka kundërshtuar ndihmën e Ukrainës me armë, me përjashtim të furnizimeve tregtare, duke argumentuar se kjo vetëm do zgjasë luftimet. Aleatët perëndimorë të Ukrainës e kanë hedhur poshtë këtë argument, duke thënë se ndërprerja e ndihmës thjesht do çonte në humbjen e Ukrainës dhe jo në bisedime.

Ministri i Jashtëm Blanar ka mbrojtur gjithashtu takimin e tij të 2 marsit me Lavrov – për të cilin tha se erdhi me kërkesë të palës ruse – duke thënë se ishte e nevojshme një zgjidhje diplomatike.

Fico ka folur kundër sanksioneve ndaj Rusisë, por deri tani nuk ka bllokuar masat e BE-së apo ndihmën financiare për Ukrainën.

Ndryshimi në politikën e jashtme ka mërzitur disa aleatë. Javën e kaluar, qeveria çeke bëri një gjest të fortë simbolik duke pezulluar në të ardhmen e afërt takimet e përbashkëta me kabinetin e Sllovakisë, të cilat kanë qenë një dukuri e rregullt në administratat e kaluara.