Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar me tone të ashpra pas publikimit të një mesazhi të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku ky i fundit dyshohet se ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Bardhi e cilësoi deklaratën si “skandaloze dhe denigruese”, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të ministrit nga detyra.
Sipas demokratit, përdorimi i termave ofendues si “idiotë” ndaj bashkëkombësve është i papranueshëm për një zyrtar që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se ky qëndrim bie ndesh me detyrimet kushtetuese të shtetit shqiptar për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Një deklaratë e tillë e bën të pamundur vijimin e detyrës qoftë edhe për një minutë më shumë. Është e patolerueshme që ministri përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë të përdorë një gjuhë të tillë”, deklaroi Bardhi.
Në reagimin e tij, Bardhi shkoi më tej duke e krahasuar retorikën e përdorur nga ministri Hoxha me atë të figurave historike antishqiptare si Nikolla Pashiq apo Vasa Çubrilloviç.
Ai hodhi dyshime se një gjuhë e tillë mund të jetë në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar praninë e tij në kabinet si një “njollë” për vendin.
“Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht nga kjo gjuhë fyese që të kujton retorika të errëta të së kaluarës”, përfundoi Bardhi.
Sipas tij, çdo vonesë në largimin e Hoxhës nga posti i ministrit të Jashtëm përbën një fyerje të hapur për të gjithë shqiptarët në rajon.
