Vendosni fjalën kyçe....

Një nga donatorët kryesorë të “parave të errëta” për Biden është investitori në Inteligjencën Artificiale


Një çift, pasuria e të cilit ka lidhje me investimet e inteligjencës artificiale dhe tregtimin e kriptomonedhave, po shfaqen në heshtje ndër mbështetësit më të mëdhenj të grupit kryesor të parave ‘të errëta’ që ndihmojnë fushatën e presidentit amerikan Biden.

Donacioni i dytë më i madh në vitin 2022 për krahun jofitimprurës të ‘Future Forward’, organizata kryesore që mbështet Biden, erdhi nga një grup i drejtuar nga James McClave dhe Emily Berger.

Çifti punon në ‘Jane Street’, një firmë tregtare në Manhattan dhe McClave ka qenë një investitor i hershëm në kompaninë e Inteligjencës Artificiale ‘Anthropic’.

Të dhënat tatimore të shqyrtuara nga CNN, të cilat nuk janë raportuar më parë, tregojnë se BEMC 4 Association – një organizatë jofitimprurëse, dy drejtuesit e vetëm të së cilës janë McClave dhe Berger – i dha 7.2 milionë dollarë ‘Future Forward USA Action’ në vitin 2022, viti më i fundit për të cilin të dhënat janë në dispozicion.

Kjo është më shumë se çdo grup tjetër përveç ‘Qendrës së Politikave të Shoqërisë së Hapur’ të lidhur me George Soros, e cila dha 15.2 milionë dollarë atë vit.

Ndërsa ‘Future Forward USA Action’ nuk i zbulon donatorët e tij, organizata të tjera jofitimprurëse që i japin raportojnë ato kontribute dhe CNN analizoi të dhënat e dosjeve tatimore të lëshuara nga IRS për të zbuluar disa prej tyre.

Përveç grupit Soros dhe BEMC, kontribuuesit kryesorë të grupit në vitin 2022 përfshinin dy organizata të tjera jofitimprurëse me prirje të majtë, të cilat dhanë 2.5 milionë dollarë secila dhe ‘Fondi Hopewell’, i cili dha rreth 1.55 milionë dollarë.

Milionat që rrjedhin përmes ‘Future Forëard’ është një shembull se si donatorët e pasur në të dy kampet po përdorin grupe të parave të errëta për të formësuar politikën amerikane duke qenë nën radar.

Edhe pse demokratët si Biden kanë kritikuar ndikimin e parave të errëta dhe kanë shtyrë për reforma, ata janë gjithashtu përfituesit kryesorë të sistemit. Ky trend pritet të vijojë këtë vit. ‘Future Forward’ ka njoftuar planet për të drejtuar fushatën më të madhe të reklamave politike ndonjëherë nga një organizatë në zgjedhje e vitit 2024.

Shpenzimet nga grupet që nuk zbulojnë donatorët e tyre ” i lënë votuesit në errësirë ​​kur ata shkojnë në votime,” tha Anna Massoglia, menaxherja e hetimeve në grupin mbikëqyrës të financave të fushatës OpenSecrets.

“Ata nuk kanë asnjë informacion se kush do japë deri pas zgjedhjeve, nëse do japë…kjo është shumë e rëndësishme në mënyrë që ata të dinë se kush po financon kandidatët për të cilët po votojnë dhe çfarë interesash të veçanta janë në lojë.”

Të dhënat tatimore nuk konfirmojnë nëse 7.2 milionë dollarë janë nga McClave dhe Berger personalisht, apo donatorë të tjerë të grupit që ata kontrollojnë.

Por donacionet e vetme që BEMC raportoi se kishte marrë ishin në formën e interesit në një kompani apo partneritet financiar. Dhe nuk është e pazakontë që donatorët e mëdhenj të krijojnë organizata të reja jofitimprurëse për të shpërndarë paratë e tyre, tha Massoglia.

Ndërsa McClave dhe Berger nuk kanë shumë profil publik, ata kanë rritur në heshtje shpenzimet e tyre politike.

Çifti ka dhënë më shumë se 1 milion dollarë në total gjatë viteve të fundit për një shumëllojshmëri të gjerë grupesh të tjera të Partisë Demokratike dhe kandidatësh në zgjedhjet federale dhe shtetërore, tregojnë të dhënat – duke u bërë donatorët kryesorë për progresistët si gjyqtarja e Gjykatës së Lartë së Wisconsin, Janet Protasiewicz dhe Prokurori i Manhattan Alvin Bragg.

McClave ishte një investitor i hershëm në ‘Anthropic’, i cili drejton chatbotin e Inteligjencës Artificiale Claude. Ai ishte bashkëinvestitor në kompani me themeluesin e FTX, Sam Bankman-Fried – i cili dikur punonte në ‘Jane Street’ dhe ishte gjithashtu një donator i madh i fushatës, përpara kolapsit financiar të Bankman-Fried dhe dënimit për mashtrim dhe konspiracion.

‘Jane Street’ ka qenë një lojtar i rëndësishëm në tregtimin e kriptomonedhave dhe McClave ka treguar interes për politikat e qeverisë federale për kriptomonedha. Në vitin 2022, ai i shkroi një letër Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve duke i kërkuar rregullatorit të lejonte një fond Bitcoin të listohej në një filial të Bursës së Nju Jorkut. Berger iu bashkua ‘Jane Street’ pasi fitoi një doktoraturë në matematikë nga Universiteti i Kalifornisë ‘Berkeley’.

Çifti nuk pranoi të komentonte përmes një zëdhënësi. Një zëdhënës i ‘Future Forward’ nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Ashtu si disa organizata të tjera të shquara politike në të dy kampet, ‘Future Forward’ operon si dy grupe të lidhura: një organizatë që kërkohet të zbulojë publikisht donatorët e tij dhe një organizatë jofitimprurëse si ‘Future Forward USA Action’, që nuk i zbulon.

Të dy grupet lejohen të shfaqin reklama që mbështesin ose kundërshtojnë kandidatët, megjithëse organizata jofitimprurëse nuk lejohet ta bëjë atë “aktivitetin parësor”, sipas rregullave të IRS.

Pasi ‘Future Forward‘ publikoi reklama që mbështesin Biden-in dhe Demokratët gjatë fushatave 2020 dhe 2022, fushata e Bidenit sinjalizoi publikisht se ajo ishte bërë organizata e tyre e  parapëlqyer.

Anita Dunn, një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë, i tha New York Times vitin e kaluar se grupi “me të vërtetë kishte fituar vendin e tij si organizatë e parapëkqyer që mbështet axhendën Biden-Harris dhe përpjekjet për zgjedhjet e  vitit 2024”.

‘Future Forëard’ ka thënë se ka mbledhur një total prej 208 milionë dollarësh në vitin 2023. Pjesa më e madhe e fondeve duket se është mbledhur nga organizata jofitimprurëse e parave të errëta, pasi ajo raportoi vetëm se kishte mbledhur rreth 25 milionë dollarë gjatë vitit dhe më shumë se 8 milionë dollarë prej tyre u transferuan nga organizata jofitimprurëse, sipas të dhënave të Komisionit të Zgjedhjeve Federale.

Nuk është e qartë nëse McClave dhe Berger ose organizata e tyre jofitimprurëse bënë donacione shtesë për ‘Future Forward’ vitin e kaluar, grupit të tyre nuk do t’i kërkohet të raportojë grantet e bëra në vitin 2023 deri pas zgjedhjeve të këtij nëntori dhe nuk do të duhet të raportojë shpenzimet e vitit 2024 deri në nëntor 2025.

Vetë Biden ka kritikuar ndikimin e parave të errëta dhe ka mbështetur legjislacionin që do t’u kërkonte organizatave që shpenzojnë para për zgjedhjet të zbulojnë më shpejt donatorët e mëdhenj.

“Ka shumë, shumë para që rrjedhin në hije për të ndikuar në zgjedhjet tona”, deklaroi Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2022, duke shtuar se “paratë e errëta gërryejnë besimin e publikut”.

“Tani për tani, grupet e avokimit mund të shfaqin reklama për çështje që sulmojnë ose mbështesin një kandidat deri në ditën e zgjedhjeve pa ekspozuar se kush po paguan për atë reklamë,” tha Biden, duke përshkruar llojin e reklamave që ‘Future Forward USA Action’ mund të shfaqë duke e mbështetur atë më vonë këtë vit.

Fushata e Biden nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Përveç mbështetjes së ‘Future Forward’, organizata jofitimprurëse e McClave dhe Berger dha gjithashtu 7 milionë dollarë të tjera në vitin 2022 për Qendrën për Informacionin e Votuesve, një grup që punon për të nxitur të rinjtë, gratë dhe pakicat për të votuar dhe që drejtohet nga një ish-operativ politik demokrat. Ajo gjithashtu bëri donacione më të vogla për dy grupe të tjera me prirje të majtë.

McClave dhe Berger janë gjithashtu oficerët e fondacionit BEMC me emër të ngjashëm, një fondacion privat që ka dhënë një total prej rreth 2.5 milionë dollarë në vitet e fundit për Projektin Future Perfect të Vox Media, i cili prodhon lajme mbi çështjet globale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani