Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët përleshen me policinë në kryeqytetin e Polonisë (Video)


Fermerët dhe mbështetësit e tyre u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit në Varshavë dhe marshuan drejt parlamentit, ku u përballën me forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Protestuesit hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj oficerëve, të cilët u përgjigjën me spërkatës me piper, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Pati gjithashtu përleshje sporadike, me policinë që përdori shkopinj për të zmbrapsur fermerët e zemëruar.

Ministri i Brendshëm Marcin Kierwinski tha se 23 “provokatorë” u arrestuan të mërkurën. Gjithsej 13 oficerë u plagosën, duke përfshirë një që pësoi dëme “serioze” në kokë, shkroi Policia e Varshavës në X.

Rreth 30,000 njerëz morën pjesë në protestë, sipas zëdhënëses së bashkisë Monika Beuth. Inspektori Robert Szumiata tha se megjithëse protesta fillimisht ishte “shumë paqësore”, kishte “grupe njerëzish që kërkonin të përballeshin me policinë”.

Fermerët dolën në rrugë për të denoncuar ligjet e “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së që synojnë zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike.

“Këto janë rregulla absurde me të cilat fermerët duhet t’i përshtaten, të cilat vetëm sa do ta përkeqësojnë gjendjen dhe do rrisin kostot e prodhimit dhe çmimet e produkteve,” tha një aktivist për agjencinë e lajmeve AFP.

Fermerët polakë kanë bllokuar gjithashtu pikat e kontrollit në kufirin me Ukrainën, duke argumentuar se importet e drithërave të lira dhe prodhimeve të tjera po vrasin bizneset e tyre.

Kievi ka mohuar se drithi ukrainas po shitet në Poloni dhe ka akuzuar protestuesit se kanë dëmtuar ekonominë ukrainase gjatë konfliktit të saj të armatosur me Rusinë.