Vendosni fjalën kyçe....

Doping para Katar 2022, konfirmohet dënimi i kampionit të Botës me Argjentinën


Mesfushori argjentinas Papu Gomez, ka mësuar zyrtarisht se dënimi dyvjeçar për përdorimin e substancave të palejuara, do ta lërë jashtë fushave të lojës për dy vitet e ardhshme, duke i dhënë fund kësisoj karrierës së tij.

Futbollisti i njohur argjentinas, kishte apeluar vendimin shkallës së parë pasi testet e tij antidoping sollën përgjigje pozitive për substanca të palejuara në një testim që ishte bërë para se ai të udhëtonte me përfaqësuesen e tij drejt Katarit për Botërorin ku u shpall kampion.

Futbollisti ishte mbrojtur në muajt e kaluar duke deklaruar se kishte pirë një shurup të të birit i cili përmbante këtë substancë, pasi po kalonte një gjendje gripale. Por apeli tashmë e ka hedhur poshtë këtë hipotezë duke konfirmuar dënimin e tij dyvjeçar.

Papu Gomez ka bërë të ditur se do të çojë çështjen në KAS të Lozanës, duke tentuar që të ndryshojë dënimin, pasi dëshiron të mbyllë karrierën në fushën e lojës dhe jo kështu, meqë praktikisht në moshën e tij do të jetë e pamundur që të kthehet pas dy vitesh inaktivitet.