Vendosni fjalën kyçe....

Të bardhëve “u ndalohet” hyrja në shfaqjen mbi racizmin në teatrin e Londrës


Të bardhëve u është thënë të mos marrin pjesë në dy shfaqjet e ardhshme të një teatri rreth racizmit dhe seksualitetit në West End të Londrës. Zyra e kryeministrit Rishi Sunak e ka dënuar këtë veprim si “të gabuar dhe përçarës”.

Shkruar nga Jeremy O Harris, i cili është me ngjyrë, “Slave Play” do shfaqet në Teatrin “Noel Coward” të Londrës në qershor dhe zgjat deri në shtator. Dy shfaqje më 17 korrik dhe 17 shtator, janë shënuar si netë “Black Out”, biletat për të cilat do shiten vetëm për “spektatorët me ngjyrë”, shkruan The Telegraph.

“Ideja e një nate Black Out është të themi se kjo është një natë që ne po ftojmë në mënyrë specifike njerëzit me ngjyrë të mbushin hapësirën, të ndihen të sigurt me shumë njerëz të tjerë me ngjyrë në një vend ku ata shpesh nuk ndihen të sigurt.” tha Harris për BBC të martën.

Pavarësisht se në mënyrë të qartë u kërkoi vetëm njerëzve me ngjyrë të zezë të merrnin pjesë në shfaqje, Harris më pas pretendoi se “askush nuk po thotë se duke ftuar audiencën me ngjyrë të zezë, njerëzit e bardhë janë të paftuar”.

Në një tërheqje të dukshme të nesërmen, Harris shkroi në X se njerëzit me ngjyrë të zezë “mund të sjellin miqtë ose të dashurit e tyre të bardhë nëse duan”.

Zyra e Sunak megjithatë e dënoi planin.

“Është e qartë, kufizimi i audiencës në bazë të racës do ishte i gabuar dhe përçarës,” tha një zëdhënës i kryeministrit të enjten. I pyetur nga BBC nëse qeveria do konsideronte heqjen e fondeve publike nga teatrot që përfshihen në një diskriminim të tillë, zëdhënësi nuk ofroi një përgjigje përfundimtare.

“Slave Play” tregon historinë e tre çifteve ndërracore që përfshihen në fantazi seksuale të epokës së skllevërve për të shpëtuar marrëdhëniet e tyre. Ajo debutoi në Broadway në 2019-ën me komente të mira nga kritikët liberalë dhe mori 12 nominime për çmimin ‘Tony’, por u kritikua nga konservatorët, me shkrimtarin amerikan Peachy Keenan që e quajti atë “plehrat më homoseksuale të racës së zgjuar të konceptuar ndonjëherë”.

Teatri “Noel Coward” nuk është institucioni i parë britanik që përballet me reagime për organizimin e një shfaqjeje “Black Out”. Verën e kaluar, Teatri Mbretëror i Londrës në Stratford East u kritikua për rekomandimin që të bardhët të mos ndiqnin dy shfaqje të dramaturgut amerikan Dave Harris ‘Tambo & Bones’.