Vendosni fjalën kyçe....

Studimi i BB: Për Shqipërinë, 4G është më e leverdishme se 5G për mbulim 100% me internet


Për Shqipërinë, teknologjia 4G mund të jetë një zgjidhje më eficiente për mbulimin e plotë të popullsisë me internet broadband krahasuar me teknologjinë 5G.

Ekspertët e Bankës Botërore, në një studim të vitit 2021, i vlerësonin kostot e mbulimit universal me internet me brez të gjerë, në varësi të teknologjisë së përdorur.

Studimi arrin në përfundimin se, për vendet si Shqipëria, që kanë një mbulim të lartë të popullsisë me rrjete 4G, mbulimi universal duke përdorur këtë teknologji do të ishte më i leverdishëm.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, të përdorura në studim, Shqipëria ka një mbulim të popullsisë me rrjet 4G në nivelin 96%. Kostot janë llogaritur mbi disa skenarë, që marrin në konsideratë zgjidhje të ndryshme teknike dhe nivele të ndryshme të shpejtësisë së synuar të rrjeteve.

Në skenarin optimal, sipas të cilit synohet një shpejtësi 400 megabit për sekondë (Mbps) në zonat urbane me dendësi të lartë, ekipi i BB përllogarit se për Shqipërinë duhet një investim mes 250 dhe 340 milionë dollarë për mbulim universal me rrjet 4G.

Investimi prej 250 milionë dollarësh i referohet skenarit kur rrjeti ndërtohet vetëm mbi infrastrukturë të lëvizshme, ndërsa kostot mund të arrijnë deri në 340 milionë dollarë, nëse ky rrjet mbështetet nga një infrastrukturë fibre optike.

Në rastin e teknologjisë 5G, mbulimi universal me internet do të kërkonte një investim prej të paktën 320 milionë dollarësh për një infrastrukturë ekskluzivisht të lëvizshme, por do të arrinte deri në 710 milionë dollarë, në rast se përdoret mbështetja me fibër optike.

Vlerat e investimeve janë më të ulëta në rast të skenarëve që parashikojnë shpejtësi rrjeti më të ulët. Por, duhet thënë se skenari optimal i mësipërm është i vetmi që plotëson objektivat e përcaktuara nga Komisioni për Internetin me Brez të Gjerë i Kombeve të Bashkuara, që përcakton një shpejtësi prej të paktën 10 Mbps në zonat rurale.

Edhe për skenarët që parashikojnë një shpejtësi më të ulët, sidoqoftë, teknologjia 4G është më e leverdishme, madje në këta skenarë, avantazhi në kosto i 4G është shumë më i thellë.

Megjithatë, teknologjia 5G mund të bëhet e leverdishme në një skenar kur operatorët do të ndërtonin një infrastrukturë rrjeti të përbashkët, në vend që të ngrinin secili rrjetin e vet në mënyrë të pavarur.

Shkalla e kursimit do të varej nga niveli i përdorimit të përbashkët të infrastrukturës dhe kostot e investimit mund të uleshin deri në 70%, nëse operatorët do të përdornin rrjete plotësisht të përbashkët në zonat rurale.

Një zgjidhje e tillë do të ulte ndjeshëm kostot e investimit, por, sipas ekspertëve, mund të sillte ndikime negative afatgjata në konkurrencë. Ulja e trysnive konkurruese mund të krijojë rënie graduale të eficiencës, duke bërë që përfitimet ekonomike në kohë të bien gradualisht.

Duke marrë në analizë disa vende në zhvillim dhe me të ardhura të mesme, studimi arrin në përfundimin se teknologjia 5G mund të ketë avantazhe ekonomike për mbulimin universal me internet vetëm për ato shtete, ku mbulimi me rrjete 4G i popullsisë është në nivele të ulëta.

AKEP: Operatorët me humbje, investimet ranë për të dytin vit radhazi në 2022

Në vitet e fundit, performanca financiare e operatorëve celularë ka pësuar rënie të ndjeshme, për shkak të konkurrencës së fortë në tregun me pakicë, rënies së të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar, por edhe shpenzimeve të larta të amortizimit dhe nevojës së vazhdueshme për investime në krahun tjetër.

Mbështetur në rezultatet e raportuara në AKEP, për vitin 2022 të tria kompanitë e komunikimeve celulare e mbyllën vitin me humbje, përkatësisht Vodafone Albania, -258 milionë lekë, One Telecommunications, -559 milionë lekë, dhe Albtelecom, -12 miliardë lekë. (pasqyrat financiare të Vodafone nuk janë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, megjithatë sipas të dhënave nga administrata tatimore, kompania raportoi një rezultat me fitim prej 206 milionë lekësh)

Përkeqësimi gradual i performancës financiare të operatorëve në dekadën e fundit ka ndikuar negativisht edhe tek investimet e tyre. Vitin e kaluar, vlera e investimeve të operatorëve celularë, sipas AKEP, zbriti për të dytin vit radhazi në 2.5 miliardë lekë, nga 4.6 miliardë lekë në vitin 2021.

Këto të dhëna shpjegojnë, në një masë të madhe, arsyen pse vitin e kaluar çmimet e paketave të komunikimit celular shënuan rritje, ndërsa së afërmi operatorët do të përballen me nevojën për investime shtesë, të lidhura me zhvillimin e teknologjisë 5G.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor