Vendosni fjalën kyçe....

Ceremonia e çmimeve franceze të filmit në hije nga akuzat për abuzim seksual


Ceremonia vjetore e çmimeve të filmit në Francë mori një kthesë të zymtë të premten me një ovacion të fortë për aktoren Judith Godreche e cila foli kundër dhunës seksuale në industrinë e filmit.

“Pse të pranojmë që ky art që e duam kaq shumë, ky art që na bashkon, të përdoret si mbulesë për trafikimin e paligjshëm të vajzave të reja?” – tha Godreche në ceremoninë e 49-të të Çmimeve Cesar.

Policia hapi një hetim në fillim të këtij muaji pasi Godreche paraqiti një ankesë për dhunë seksuale kundër regjisorit francez të filmit Benoit Jacquot, 77 vjeç, me të cilin ajo kishte një lidhje në fund të viteve 1980 kur ishte e mitur.

Reuters nuk mundi të kontaktonte Jacquot për koment. Ai i ka thënë gazetës Le Monde se marrëdhënia e tij e parë seksuale me Godreche ka ndodhur pas ditëlindjes së saj të 15-të, mosha ligjore e pëlqimit në Francë. Godreche tha për mediat franceze se ishte 14 vjeç.

Në intervistën e tij për Le Monde, Jacquot, i cili është 25 vjet më i madh se Godreche, mohoi çdo dhunë ndaj saj.

Sindikata e majtë CGT Spectacle mbajti një protestë jashtë vendit të ceremonive Cesar.

“Judith Godreche ka pasur guximin të flasë për historinë e saj. Për dhunën seksuale që kaq shumë gra kanë vuajtur në një mjedis profesional,” tha CGT.

Ministrja e Kulturës Rachida Dati, një nga të parat në audiencë që mbështeti Godreche, tha këtë javë se industria franceze e filmit vetëm tani po ndërgjegjësohej për “verbërinë kolektive që zgjati me vite” në lidhje me dhunën seksuale në kinemanë franceze.

Ajo i tha Le Film Francais se arti nuk ishte justifikim për krimin.

“Nuk po flasim për art, por për pedokriminalitet”, tha ajo.

Godreche, e cila luajti së bashku me Leonardo DiCaprio në filmin1998 “Njeriu me maskë të hekurt”, pati një rol në një film të Jacquot të vitit 1986.

Akuzat vijnë vetëm disa javë pasi Gerard Depardieu u kritikua për komente të turpshme për gratë në një program televiziv. Aktori ka qenë në qendër të akuzave për dhunë seksuale vitet e fundit. Ai ka mohuar çdo akuzë.