Vendosni fjalën kyçe....

Ministri kërcënon të pushtojë Rafahun nëse pengjet izraelite s’lirohen deri në Ramazan


Ministri i Kabinetit të Luftës i Izraelit, Benny Gantz, kërcënoi të dielën se do pushtonte qytetin Rafah gjatë muajit të Ramazanit, nëse pengjet e mbajtura nga Hamasi nuk lirohen.

“Unë e them këtë shumë qartë: Hamasi ka një zgjedhje. Ata mund të dorëzohen, të lirojnë pengjet dhe në këtë mënyrë, qytetarët e Gazës mund të festojnë festën e shenjtë të Ramazanit”, tha Gantz në një konferencë në Jerusalem.

Ushtria izraelite planifikon të nisë një sulm tokësor në Rafah, shtëpia e më shumë se 1.4 milionë banorëve që kërkojnë strehim nga lufta, për të mposhtur atë që Tel Avivi i quan “batalione të mbetura të Hamasit”.

Palestinezët kanë kërkuar strehim në Rafah ndërsa Izraeli goditi pjesën tjetër të enklavës që nga 7 tetori. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë rreth 29,000 viktima dhe kanë shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Gantz, një ish-ministër i Mbrojtjes, tha se pushtimi i Rafahut do kryhet në bashkërendim me “partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të zvogëauar viktimat civile”, sipas gazetës The Times of Israel.

“Bota duhet ta dijë dhe udhëheqësit e Hamasit duhet ta dine, nëse deri në Ramazan pengjet tanë nuk janë në shtëpi, luftimet do shtrihen në zonën e Rafahut”, shtoi ai.

Ramazani, muaji më i shenjtë në kalendarin islamik, nis më 10 mars.

Hamasi besohet se mban peng më shumë se 130 izraelitë pas sulmit të tij ndërkufitar, ku sipas autoriteteve izraelite janë vrarë rreth 1200 njerëz.