Vendosni fjalën kyçe....

Blinken në Tiranë, Tabaku: Mbështetja e SHBA-së në këto momente kritike për vendin është e domosdoshme


Deputetja e PD Jorida Tabaku tha se vendi ynë nuk ka pasur mbështetës më të rëndësishëm dhe partnerë më strategjikë dhe të fortë që prej kohës së pavarësisë se sa SHBA.

Reagimi i deputetes vjen ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton sot për herë të parë Tiranën.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha se mbështetja e SHBA në këto momente kritike për vendin është jetike dhe mëse e domosdoshme.

Postimi i plotë:

Mirësevjen Sekretari Blinken!

Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur mbështetës më të rëndësishëm dhe partnerë më strategjikë dhe të fortë që prej kohës së pavarësisë se sa SHBA. Që prej mbështetjes së Presidentit Wilson në 1912 e deri në këtë shekull prania e SHBA ka qenë jetike për vendin tonë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Vizita e sotme e sekretarit Blinken është një shenjë e qartë e këtij bashkëpunimi që përditë e më shumë forcohet. Në fundin e diktaturës më të egër në Europë, sekretari Baker ishte njeriu që solli erën e ndryshimit në një vend të etur për liri. Ka qenë SHBA që mbështeti procesin e integrimit dhe më tej shtytësja kryesore e hyrjes në NATO. 

Qe pikërisht presidenti Bush që shqiptoi realitetin e pavarësisë së Kosovës nga Tirana që i dha jetë ëndrrës së shqiptarëve, një ëndërr e mundësuar nga ndihma e presidentit Clinton në vitin e vështirë të 1999. Qe urtësia dhe angazhimi i SHBA në marrëveshjen e Ohrit që i dha mundësinë një kryeministri shqiptar të jetë në krye të Maqedonisë së Veriut.

Ndaj mbështetja e SHBA në këto momente kritike për vendin është jetike dhe mëse e domosdoshme; lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, përpjekja për një drejtësi që funksionon, një parlament eficent dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare duhet të jenë synimi.

Detyra jonë është te ngrihemi në një nivel tjetër, për të tërhequr investimet amerikane, për të qenë pol i rëndësishëm në globalizimin dhe zinxhirin e furnizimit. Kjo do të thotë që vendi ka nevojë për të ngritur një skemë për analizën e investimeve të huaja, për të zhvilluar 

konkurencën dhe meritokracinë!

Koha që të zhvillojmë më tej bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe diversifikimit të saj për të përfituar realisht kapitalin por dhe zhvillimin edhe dijen e sipërmarrjeve amerikane që smund të jenë vetëm në emër të tilla.

Për të qenë një partner realisht strategjik na duhet që të zhvillojmë realisht tregun duke zhvilluar një ekonomi tregu, kulturën e punës dhe fluksin e burimeve! Koha që mos të kënaqemi me vizita përshëndetëse por të ndërtojmë një tjetër kapitull të përbashkët zhvillimi mes vendeve tona!