Vendosni fjalën kyçe....

Heqja e dinarit serb, Kurti: Një periudhë tranzicioni është e nevojshme


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se është e nevojshme një periudhë kalimtare për të sqaruar dhe shmangur paqartësitë rreth rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, mes shqetësimeve të diplomatëve perëndimor për pasojat e këtij vendimi.

Nëpërmjet një deklarate me shkrim, kryeministri Kurti tha se “e kupton se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzionin. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, tha ai duke nënvizuar se gjatë këtij muaji, institucionet do të japin të gjitha informacionet dhe ndihmën e nevojshme që kjo periudhë kalimtare të jetë sa më e lehtë që të jetë e mundur.

“Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi. 

Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur.

Tani e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë.

Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t’u realizuar. Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin, duhet të interpretohet për atë çka është. 

Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t’i duhen ca përshtatje. Për palët e shumta që janë fuqishëm të investuara në prosperitetin e vendit tonë, të njëjtën e inkurajoj: përshtatjet le të ndodhin, që të arrijmë hapin tjetër, drejt të cilit të gjithë punojmë me zell”, ka thënë Kurti.

Prej 1 shkurtit ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa.

Kjo nxiti reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë, i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe.