Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç informon Kinën për “situatën në Kosovë”


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, të cilit i ka dorëzuar “një letër sa i përket situatës në Kosovë”.

Kështu u tha në një postim të publikuar në llogarinë e presidentit serb në rrjetin social Instagram.

Letra i është adresuar udhëheqësit kinez, Xi Jinping, dhe përveç informimit për situatën në Kosovë, letra u dërgua “me rastin e thellimit të shpejtë të raporteve tona dypalëshe”, shkroi Vuçiq në Instagram.

“E falënderova ambasadorin Li Ming për reagimin e fuqishëm dhe pa ekuivok të Ministrisë së Punëve të jashtme të Republikës Popullore të Kinës sa u përket lëvizjeve të fundit të pamatura të Prishtinës, që qartazi janë të drejtuara kundër popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha ai.

Kina, së bashku me Rusinë dy shtete aleate të Serbisë  janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Që të dy këto shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Më herët, Vuçiq kishte paralajmëruar se do të kërkonte një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Njoftimi i tij vjen pasi autoritetet në Kosovë morën vendim që të ndalonin përdorimin e dinarit serb për pagesa.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja për operacione me para të gatshme e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro.

Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës përmes një sistemi paralel pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera, shkruan REL.