Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan presion Kurtit për heqjen e dinarit serb: Mospezullimi i vendimit ndikon marrëdhëniet me ne


Ambasadori amerikan në Prishtinë Hovenier i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Kurti që të rishqyërtojë çështjen e heqjes së dinarit serb nga qarkullimi.

Sipas tij, Uashingtoni kërkon një shtyrje të zbatimit të vendimit derisa të punohet më shumë mbi të. Hovenier tha gjithashtu se ky është qëndrimi edhe i vendeve të tjera aleate.

​”Të gjithë nga kori diplomatik që foli për këtë çështje shprehu shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj. Unë vetëm mund të përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin. Ajo që shpresojmë të shohim është një pezullim në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë.” – tha Hovenier.

Ai shtoi më tej se “SHBA-ja shpreson që qeveria e Kosovës të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo “do ndikojë në partneritet”.

Sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, dinari serb është pezulluar si mjet pagese në territorin e vendit, gjë që përfshin edhe komunat serbe në veri. Pas kësaj, monedha euro është mjeti i vetëm ligjor qëdo pranohet në Kosovë.