Vendosni fjalën kyçe....

“Lufta kibernetike”, SHBA-ja thotë se ka çaktivizuar rrjetin kinez të hakerimit që synon infrastrukturën jetike


Qeveria e SHBA-së në muajt e fundit nisi një operacion për të luftuar një operacion të përhapur hakerimi kinez që komprometoi mijëra pajisje të lidhura me internetin, thanë dy zyrtarë të sigurisë perëndimore dhe një person i njohur me këtë çështje.

Departamenti i Drejtësisë dhe Byroja Federale e Hetimit kërkuan dhe morën autorizim ligjor për të çaktivizuar nga distanca aspekte të fushatës së hakerëve kinezë, thanë burimet për Reuters.

Administrata Biden është fokusuar gjithnjë e më shumë në hakerimin, jo vetëm nga frika se shtetet e ndryshme mund të përpiqen të prishin zgjedhjet në SHBA në nëntor, por sepse hakerimi shkaktoi kërdi në Amerikën e Korporatave në 2023.

Grupi i hakerave në qendër të aktivitetit të fundit, Volt Typhoon, ka alarmuar veçanërisht zyrtarët e inteligjencës të cilët thonë se është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të kompromentuar infrastrukturën jetike perëndimore, duke përfshirë portet detare, ofruesit e shërbimeve të internetit dhe shërbimet komunale.

Ndërsa fushata Volt Typhoon fillimisht doli në dritë në maj 2023, hakerët zgjeruan fushën e operacioneve të tyre në fund të vitit të kaluar dhe ndryshuan disa nga teknikat e tyre, sipas tre personave të njohur me këtë çështje.

Natyra e përhapur e hakimeve çoi në një seri takimesh midis Shtëpisë së Bardhë dhe industrisë private të teknologjisë, duke përfshirë disa kompani të telekomunikacionit dhe kompjuterave cloud, ku qeveria e SHBA kërkoi ndihmë për të ndjekur veprimtarinë.

Shkelje të tilla mund t’i mundësojnë Kinës, thanë ekspertët e sigurisë kombëtare, të nxjerrë jashtë funksionit nga largësia objekte të rëndësishme në rajonin Indo-Paqësor që në një farë forme mbështesin ose shërbejnë për operacionet ushtarake të SHBA-së. Burimet thanë se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se hakerat po punonin për të dëmtuar gatishmërinë e SHBA-së në rast të një pushtimi kinez të Tajvanit.

Kina ka rritur veprimet e saj ushtarake pranë ishullit në vitet e fundit në përgjigje të asaj që Pekini e quan “bashkëpunim të fshehtë” midis Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk pranuan të komentojnë. Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ministria e Jashtme e Kinës i quajti akuzat “të pabaza” dhe “jashtëzakonisht të papërgjegjshme” dhe tha se ishin SHBA-të që ishin “nismëtarët dhe mjeshtrat e sulmeve kibernetike”.

“Që nga viti i kaluar, agjencitë e sigurisë së rrjetit të Kinës kanë lëshuar raporte njëra pas tjetrës, duke zbuluar se qeveria e SHBA-së ka kryer sulme kibernetike në infrastrukturën kryesore të Kinës për një kohë të gjatë. Politika dhe praktika të tilla të papërgjegjshme e vënë infrastrukturën jetike globale në rrezik të madh.” – tha zëdhënësi i ministries së Jashtme Ëang Ëenbin tha në një konferencë të rregullt për shtyp të enjten.

Kur vendet perëndimore paralajmëruan për herë të parë për Volt Typhoon në maj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha se akuzat për hakerim ishin një “fushatë kolektive dezinformimi” nga vendet “Five Eyes”, një referencë ndaj grupimit të shkëmbimit të inteligjencës të vendeve që përfshijnë Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Volt Typhoon ka funksionuar duke marrë kontrollin e pajisjeve dixhitale të cenueshme në të gjithë botën – të tilla si ruterat, modemet, madje edhe kamerat e sigurisë të lidhura me internetin – për të fshehur më vonë, sulmet në drejtim të enegjisë elektrike në objektivat më të ndjeshëm, thanë studiuesit e sigurisë për Reuters.

Kjo plejadë sistemesh të kontrolluara nga largësia, e njohur si botnet, është shqetësimi kryesor për zyrtarët e sigurisë, sepse kufizon dukshëm zbulimin e tyre nga mbrojtësit kibernetikë që mbikëqyrin gjurmët e huaja në rrjetet e tyre kompjuterike.

“Mënyra si funksionon është se kinezët po marrin kontrollin e një kamere ose modemi që është pozicionuar gjeografikisht pranë një porti ose ISP (ofruesi i shërbimit të internetit) dhe më pas përdorin atë destinacion për të drejtuar ndërhyrjet e tyre në objektivin e vërtetë,” tha një ish-zyrtar i njohur me çështjen.

“Për ekipin e IT duket thjesht si një përdorues normal, vendas që është ulur afër.”

Përdorimi i botnet-eve si nga qeveria ashtu edhe nga hakerët kriminalë për të pastruar operacionet e tyre kibernetike nuk është e re. Qasja përdoret shpesh kur një sulmues dëshiron të synojë shpejt viktima të shumta në të njëjtën kohë ose kërkon të fshehë origjinën e tyre.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani