Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri në Kosovë dënohet me 3 vjet e 8 muaj burg


Ish-ministri i Infrastrukturës në Kosovë Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg për dosjen e njohur si “53 milionëshi”.

Për dosjen në fjalë, përveç Lekajt, akuzohen edhe këshilltari i tij politik, Eset Berisha, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit Publik, Besim Tahiri.

Ata akuzohen në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurosh që Qeveria e Kosovës i kishte paguar kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, kurse avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e të pandehurve në seancë.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur kur personat e akluzuar kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera.

Përfundimi i autostradës në fjalë, kontrata e së cilës ishte lidhur në vitin 2014 parashikonte përfundimin e saj në janar të vitit 2018, por me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, do përfundonte në fund të muajit  dhjetor të vitit 2018, sipas kontratës së re të firmosur nga të pandehurit, shkruan Express.

Prokuroria argumentoi se personat e lartpërmendur e kishin  lidhur kontratën pa përcaktuar kostot financiare, gjë që binte në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike.

Organi i akuzës nënvizoi se pagesa për shumën prej 53 milionë eurosh ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”.

Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International”, shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte rreth 15 milionë euro, krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit me dy të fundit që  “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara.

Pal Lekaj është anëtar i Aleanës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka qenë kryebashkiak i Gjakovës në vitet 2007-2013 para se të bëhej ministër i Infrastrukturës në qeverisjen e Ramush Haradinajt në vitet 2017-2020.