Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti postar në SHBA “nxjerr sëpatën”, shkurton 12,000 vende pune


United Parcel Service planifikon të shkurtojë rreth 12,000 vende pune këtë vit pasi kompania përpiqet të ulë kostot përballë rënies së vëllimeve të paketave dhe pagave më të larta të lidhura me një kontratë sindikale që nënshkroi në verë.

Carol Tomé, shefe ekzekutive e UPS-së, u tha analistëve në një telefonatë të të ardhurave të martën se kishte qenë një “vit i vështirë dhe zhgënjyes”. Të ardhurat ranë më shumë se 9 për qind vitin e kaluar dhe fitimi ra me një të tretën.

Tomé tha se shumica e shkurtimeve të vendeve të punës do bëhen në gjysmën e parë të vitit, duke ulur shpenzimet me rreth 1 miliard dollarë. UPS punëson tani për tani rreth 500,000 njerëz.

UPS shmangu një grevë në verë, kur sindikata që përfaqëson më shumë se 300,000 punëtorë të saj, Vëllazëria Ndërkombëtare e Teamsters, kërcënoi të largohej nga puna nëse nuk arrihej një marrëveshje pune që përfshinte paga më të larta.

Zgjidhja e kontratës u arrit menjëherë pas skadimit të marrëveshjes së mëparshme, por pasiguria rreth një largimi të mundshëm dëmtoi vëllimet e paketave të kompanisë. UPS tha se rreth 60 për qind e vëllimit që humbi gjatë bllokimit ishte rikthyer në fund të dhjetorit.

Pozicionet që do eliminoheshin këtë vit nuk janë punë sindikale, sipas Teamsters. Pushimet nga puna do të prekin stafin menaxherial, “në të gjithë botën dhe në të gjitha funksionet”, thuhet në një deklaratë nga UPS.

Lëvizjet pasqyrojnë një “ndryshim në mënyrën se si ne punojmë”, tha Tomé, dhe edhe nëse biznesi rimëkëmbet, ato punë mund të mos kthehen. Punonjësit do pritet gjithashtu të punojnë nga zyra pesë ditë në javë, shtoi ajo.

UPS tha se kishte regjistruar një rritje prej 12 për qind të pagave për punëtorët e sindikalizuar në tremujorin e katërt si rezultat i kontratës së re. Për të zbutur goditjen në fitime, tha kompania, ajo pakësoi orët e punëtorëve me rreth 10 përqind tremujorin e kaluar.

Aksionet e UPS-së ranë më shumë se 7 për qind të martën.

Kompania tha se priste që vëllimet e paketave të vijojnë të bien në gjysmën e parë të këtij viti, pastaj të rriten në gjysmën e dytë. Parashikimi i dobët i kërkesës së kompanisë dhe shkurtimet e vendeve të punës janë në kontrast me treguesit e fundit ekonomikë që tregojnë rritje elastike globale dhe shenja të një “uljeje të butë” ekonomike, duke sfiduar parashikimet për një rënie më të thellë.

Megjithatë, numri i punëtorëve të pushuar nga puna në të gjithë Shtetet e Bashkuara u rrit pak në dhjetor, sipas të dhënave të Departamentit të Punës të publikuar të martën. Dhe disa kompani të teknologjisë dhe mediave kanë njoftuar pushime të mëdha nga puna në muajt e fundit.

Ndërsa shkalla e pushimeve nga puna është e ulët krahasuar me nivelet parapandemisë – dhe një rritje e papritur e hapjeve të vendeve të punës muajin e kaluar sugjeroi që punësimi mbetet në rritje – disa industri po e ndjejnë pak më shumë se të tjerat.

“Nëse jeni në ato industri, ndoshta nuk jeni në pozita shumë të rehatshme,” tha Julia Pollak, kryeekonomiste në ZipRecruiter.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times