Vendosni fjalën kyçe....

31 viktima nga rrëshqitja e dheut në Kinë


Numri i të vdekurve nga një rrëshqitje dheu në Kinën jugperëndimore është rritur në 31, njoftuan mediat shtetërore të martën, ndërsa punonjësit e shpëtimit krehin baltën, borën dhe rrënojat në kërkim të të mbijetuarve.

Rrëshqitja e dheut goditi fshatin malor Liangshui në provincën Yunnan pak para agimit të së hënës, duke varrosur 18 shtëpi dhe dhjetëra njerëz.

Më shumë se 1,000 punonjës shpëtimi, me ndihmën e qenve, dronëve dhe pajisjeve të tjera, po kërkonin nëpër tufa rrënojash në temperatura të ulta për 13 persona ende të pagjetur deri të martën mbrëma, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Më shumë se 900 njerëz janë evakuuar, tha Xinhua.

Rrëshqitja e dheut u shkaktua nga shembja e një shkëmbi të thepisur në majë të shpatit të malit, me masën e shembur me përmasa rreth 100 metra të gjerë, 60 metra të lartë dhe 6 metra të trashë, thanë zyrtarët e Yunnan në një konferencë shtypi të martën. duke cituar një hetim paraprak.

Zona e shembur ishte rreth 150 metra mbi fshat, thanë zyrtarët, pa shpjeguar se çfarë e shkaktoi rrëzimin e shkëmbit.