Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO shtyn sërish seancën për Rezart Taçin


Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish senacën për Rezart Taçin, biznesmenit të akuzuar nga SPAK për përfshirje në tentativën e pastrimit të 18.3 mln euro të mafias italiane. Me kërkesë të avokates, seanca e radhës është caktuar më datë 30 janar.

Në seancën e kaluar, avokatja Ilenja Mëhilli kërkoi pushimin e çështjes duke u bazuar edhe në kërkesën e prokurorit që ka veçuar çështjen për italianët dhe i la dërguar në Itali.

Përkatësisht procesi është veçuar për shtetasit Frencesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli për të cilët po vijon procesi në Itali gjithashtu sipas avokatëve edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi po gjykohet atje. Në këtë proces Taçi akuzohet për “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit për shkak se ai nuk është gjetur për t’u arrestuar në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.

Taçi po gjykohet në mungesë, ndërsa po gjykohen nën masën arrest me burg kunati i tij Artur Balla e ish truproja e tij Bledar Lilo. Dy  të fundit, të besuarit e Taçit, u arrestuan më 12 nëntor 2021 kur dhe u zbulua skema dhe 18.3 mln eurot e mafias italiane “Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.